E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitari: Pashë biznesmenin në Kombinat 2 ditë pas zhdukjes

 TIRANE - Dy ditë pas denoncimit të familjarëve në Komisariatin nr.6 të policisë në Tiranë, biznesmeni “i zhdukur” Arjan Bulku dyshohet se është parë në lagjen Kombinat nga një i afërm i tij. Për policinë kjo është një provë e rëndësishme që përforcon dyshimet e grupit hetimor për largimin me dëshirë të 39-vjeçarit nga shtëpia, pas konflikteve të mundshme në familje. Burime nga policia thanë se ka qenë një i afërm i Bulkut, që është paraqitur dje në komisariat dhe ka treguar se më 30 dhjetor 2009, e ka parë biznesmenin në dalje të lagjes Kombinat, duke qëndruar në makinën e tij, tip “Golf 3” me targë TR 19 47 S, të cilën e kishte parkuar. Dëshmitari ka shpjeguar për policinë se i është afruar makinës për të përshëndetur të afërmin e tij, por Bulku sapo e ka parë ka ndezur makinën dhe është larguar. I pyetur nga oficerët e policisë se përse është drejtuar në komisariat kaq vonë për të treguar këtë detaj të rëndësishëm për hetimet, i afërmi i Arjan Bulkut është përgjigjur se nuk kishte pasur dijeni për largimin nga shtëpia të biznesmenit, pronar i një lokali te “21 Dhjetori”. Dëshmitari ka thënë se pasi është informuar nga mediat ai u ka treguar edhe familjarëve të 39-vjeçarit se e ka parë dhe ai i është larguar. Ndërsa Besim Bulku, vëllai i biznesmenit të zhdukur, i kontaktuar dje nga gazeta “Panorama” ka thënë që telefoni i të zhdukurit, vazhdon të jetë i fikur dhe nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Në një kohë kur i vëllai hedh poshtë dyshimet e policisë për konflikte në familje, pas dëshmisë së djeshme grupi hetimor ka përforcuar dyshimet se largimi nga banesa i biznesmenit, është kryer me dëshirën e tij duke përforcuar dyshimet për një konflikt në familje. Arjan Bulku, pronari i një lokali në Tiranë, babai i 3 fëmijëve të mitur, rezulton i zhdukur prej 12 ditësh. Banori i lagjes “Qyteti i Nxënësve” në kryeqytet, që prej datës 27 dhjetor 2009, nuk është parë dhe nuk është kontaktuar nga asnjë prej familjarëve të tij. Sipas të afërmve, Bulku është larguar nga shtëpia me makinën e tij tip “Golf 3”, ngjyrë e verdhë me targë TR 19 47 S, rreth orës 17:00, duke i thënë bashkëshortes se po shkonte të merrte teknikun e televizorit. Prej atij momenti ai nuk është kthyer më në shtëpi ndërsa ka humbur kontaktet me të afërmit dhe familjen.   e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›