Tiranë, i hapet rrugë hipotekimit të 278 apartamenteve

Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të 278 apartamenteve ndërsa ka futur në listën e zezë 95 subjete që nuk ka përmbushur detyrimet që kanë ndaj qytetarëve të Tiranës. Në një konferencë për shtyp zëdhënsja e bashkisë Anila Bisha ka theksuar se bashkia vazhdon të monitorojë hap pas hapi procesin e hipotekimit, duke garantuar se qytetarët e Tiranës nuk mund dhe nuk do të mbeten peng i askujt.
“Pas ndërprerjes së çdo shërbimi që Bashkia ofron ndaj këtyre subjekteve, një pjesë e tyre kanë nisur të riaktivizohen. Pranë Bashkisë së Tiranës, 5 prej këtyre subjekteve kanë sjellë një pjesë të dokumenteve dhe janë në proces të përfundimit të dosjeve të tyre, për tu pajisur me lejet e përdorimit. Nga riaktivizimi i këtyre subjekteve, i hapet rruga hipotekimit të 278 apartamenteve, me përftues direkt rreth 1120 qytetarë. Po kështu, nga informacionet e marra nga Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, na është bërë e ditur se 5 subjekte të cilat ishin në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, janë riaktivizuar, duke paraqitur dokumentet e domosdoshme, për legalizimin e objekteve të ndërtuara prej tyre” tha Bisha.
Duke e cilësuar procesin e hipotekimit prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës, Bisha i ka bërë thirrje të gjithë subjekteve të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve. Sipas saj pa përmbushur këto detyrime, dyert e Bashkisë së Tiranës do të jenë të mbyllura për këto subjekte.