E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikoi familjen,në gjyq Xhambazi

 

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurin Agim Xhambazi, i cili akuzohet se ka trafikuar në Greqi anëtarët e familjes së tij, të cilët i ka shfrytëzuar atje për të lypur me qëllime përfitimi. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se Agim Xhambazi, nga Korça, akuzohet se ka kryer veprat penale “trafik njerëzish” dhe “trafik fëmijësh”. “Nga hetimet ka rezultuar se Agim Xhambazi dhe pesë fëmijët e tij, në vitin 2001 kanë shkuar në Greqi përmes kalimit të paligjshëm të kufirit pa u pajisur me dokumente të rregullta. Ata janë vendosur në qytetin e Athinës ku kanë qëndruar në një banesë me qira të dhënë nga nëna e të pandehurit Agim Xhambazi. Pas disa ditësh qëndrimi në Athinë, i dyshuari ka detyruar bashkëshorten dhe pesë fëmijët të lypnin dhe më pas fitimet e arritura t’ia dorëzonin atij”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, mësohet se shfrytëzimi i gruas dhe fëmijëve nga i pandehuri ka vazhduar për shtatë vjet, gjatë të cilave ata kanë lypur në rrugë. Pas kësaj periudhe të dëmtuarit kanë arritur të largohen nga tutori i tyre dhe janë vendosur në ambientet e një shoqate humanitare, duke bërë më pas edhe denoncimin. Agim Xhambazi është ekstraduar disa kohë më parë nga Greqia pasi u arrestua atje, ndërsa pritet të përballet me gjykatën pasi dosja penale ndaj tij është dërguar për shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›