Tiranë, kufizime në furnizimin me ujë prej thatësirës, Kacidhja: Në shkurt nisim dy projekte që do të sigurojnë furnizim 24 orë

Thatësira e muajve të nxehtë do të ndikojë edhe furnizimin me ujë në kryeqytet në pjesën e dytë të muajit korrik. Në një intervistë për RTSH, Drejtori i Përgjithshëm i UKT, Elton Kacidhja thotë se për shkak të tharjes së burimeve ujore, disa zona të kryeqytetit do të kenë kufizime të furnizimit me ujë.
Kacidhja u bëri apel konsumatorëve të shmangin keqpërdorimin e ujit të rrjetit gjatë kësaj kohe, ndërsa shtoi se në të kundërt do të aplikohen masa administrative.
UKT ka gati masterplanin për garantimin e furnizimit 24 orë me ujë, si dhe është aprovuar kredia që do t’i hap rrugë 2 prej 3 projekteve të rëndësishme që pritet t’i japin zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë në Tiranë.
Projekti i tretë parashikon ndarjen e secilës njësi administrative në disa miniunaza të furnizimit me ujë, çka do të mundësojë që secila prej tyre të funksionoj në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e qytetit.
/rtsh/