Tiranë, kufizime të thella energjie prej disa ditësh
Një pjesë e mirë e kryeqytetit është duke u përballur prej disa ditësh me kufizime të thella energjie. Këto kufizime kanë nisur që prej ditës së diel, kur, edhe pse ishte festa e Krishtlindjes, zona të tëra, si në Unazën e Re, Kombinat, Yzberisht etj, nuk kanë pasur gjithë ditën drita.
CEZ ishte justifikuar atë ditë se ishte duke kryer remont, por tashmë prej tre ditësh, në këto lagje, që përbëjnë pothuajse gjysmën e Tiranës, ka vetëm 2-4 orë drita në ditë.
Asnjë prej zyrtarëve të CEZ nuk jep shpjegime për këto ndërprerje të paprecedenta, të cilat kanë vite që nuk ndodhin, ndërkohë që ndërprerje të tilla nuk po ndodhin në zonat më të thellë të vendit, por në kryeqytetin shqiptar .
Kryeministri Berisha siguroi pak ditë më parë se, pavarësisht krizës energjetike, nuk do të ketë kufizime energjie. Realiteti duket se është ndryshe dhe duket se muajët në vijim, qytetarët, jo vetëm të Tiranës, do të përballen me kufizime të shumta energjie.