E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, mbyten një i mitur dhe një 52-vjeçar

Dy persona të tjerë janë mbytur
në ujë gjatë 24 orëve të fundit,
ku një prej tyre ishte vetëm dy
vjeç, ndërsa tjetri një 52-vjeçar. Ky
i fundit është mbytur duke u larë
në rezervuar, ndërsa i mituri ka
rrëshqitur duke rënë në një kanal.
Dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur
në Tiranë, ku policia ka nisur hetimet
për to. Ndërsa në Durrës,
grupi hetimor ka zbuluar sesi ka
ndodhur mbytja e një 22-vjeçari
gjatë ditës së hënë. Në lidhje me
dy rastet e para, burimet policore
të kryeqytetit bënë të ditur se
2-vjeçari është mbytur në fshatin
Pinar. Rreth orës 17:00, policia ka
marrë njoftim se një fëmijë dy vjeç
kishte rënë në kanal dhe menjëherë
për në vendngjarje kanë
shkuar shërbimet e Komisariatit
Nr. 5. Sipas të dhënave hetimore,
Bledian F., bashkë me të shoqen,
kishin shkuar nga fshati Qinam
në Pinar, ku fëmija i tyre, po lozte
në breg të kanalit, që kalonte aty
pranë. Në një moment, ai ka
rënë brenda dhe pavarësisht se
të pranishmit kanë nxituar për
ta kapur, ai është mbytur, duke
ndërruar jetë shumë shpejt. Të
afërmit janë munduar t‘i japin
ndihmën e parë, por nuk kanë
mundur të bëjnë asgjë për ta
shpëtuar. Më pas, policia ka marrë
në pyetje gjithë të pranishmit,
si dhe prindërit e të miturit në
lidhje me rrethanat e ngjarjes, ku
kanë dhënë deklaratat e tyre për
sa kishin dijeni. Ndërsa për rastin
tjetër, uniformat blu nga Drejtoria
e Policisë së Tiranës bënë të ditur
se ka ndodhur vetëm një orë më
vonë. Fiqiri Muça kishte shkuar
bashkë me familjen për t‘u larë
në rezervuarin e fshatit Helmës.
Rreth orës 18:00, ai ka kërkuar
ndihmë teksa lahej në rezervuarin
e fshatit. Disa persona janë afruar
për ta ndihmuar, por ai është zhytur
nën ujë. Menjëherë, njerëzit
kanë shkuar për ta ndihmuar,
por ai kishte ngecur në baltën e
rezervuarit dhe nxjerrja e tij ka
qenë e vështirë. Nga ana tjetër, të
pranishmit në vendngjarje kanë
njoftuar shërbimet e policisë
dhe atje kanë shkuar shërbimet
e Komisariatit Nr. 6. Më vonë
është mundësuar nxjerrja e trupit
të 52-vjeçarit, por ai kishte ndërruar
jetë. Policia bëri të ditur se
me të mbërritur në vendngjarje,
ka nisur hetimet për këtë rast,
ndërkohë që trupi i pajetë është
dërguar për ekspertizë në morgun
e Tiranës. Nga ana tjetër,
policia tha se dyshohet që Muça
ka ngelur në baltën e rezervuarit,
duke i shkaktuar kështu mbytjen,
e duke çuar numrin e viktimave të
mbytur në tri brenda 24 orëve në
të gjithë vendin. Ndërkaq, policia
e Durrësit ka zbardhur rrethanat
e mbytjes së një 22-vjeçari. Dje
u deklarua se grupi hetimor ka
përcaktuar shkakun e vdekjes së
22-vjeçarit Qatip Ferhati pasditen
e së hënës në plazhin e Rrushkullit.
I riu vdiq rrugës për në spital
dhe nga kryerja e veprimeve hetimore,
këqyrja e kufomës dhe marrja
e deklarimeve të dëshmitarëve
okularë mendohet që shkaku i
vdekjes janë dëmtimet e shkaktuara
në pjesën e qafës gjatë hedhjes
me kokë në det. Viktima ka shkuar
së bashku me një shokun e tij rreth
orës 15.00 të së hënës në plazhin
e Rrushkullit. Në momentin që ka
hyrë për t‘u larë në det është hedhur
nga kupola e një qendre zjarri,
që ishte rreth 35 metra lart nga
bregu ku thellësia e ujit rreth saj
ka qenë jo më shumë se rreth 70
cm. Kur është hedhur me kokë në
det nuk ka dalë më në sipërfaqe.
Menjëherë është nxjerrë në breg
nga shoku i tij dhe është dërguar
në qendrën spitalore të Manzës.
Dëmtimet në qafë kanë qenë të
rënda dhe ai ka ndërruar jetë gjatë
rrugës. Viktima ishte me banim
në fshatin Rrushkull të Sukthit,
ndërsa kishte ardhur me familjen
vite më parë nga Kukësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›