E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Ministria e Shëndetësisë, punë të mirë për gripin e derrit

LSI-ja ka vlerësuar punën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë duke mbajtur nën kontroll gripin e derrave. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka deklaruar se kjo është një situatë e kontrollueshme në mënyrë normale nga sistemi ynë spitalor. "Rastet e shfaqura, sikurse e keni vënë re, fatmirësisht nuk kanë qenë të një graviteti apo të një mase që mund të shkaktojnë dhe vdekje, dhe kjo në pikëpamjen tonë profesionale është një lajm i mirë. Ne jemi duke përjetuar një situatë e cila duhet vlerësuar seriozisht, por është shumë larg çdolloj tragjizmi apo çdolloj alarmimi të pavend që zakonisht karakterizojnë situata të tilla", është shprehur Vasili. Ai ka deklaruar se LSI-ja mbështet skemën e aplikuar nga qeveria dhe nga Ministria e Shëndetësisë. Vasili ka theksuar më tej se për parandalimin e përhapjes së këtij virusi në vendin tonë duhet të sigurohen sasi të mëdha dhe cilësore të vaksinave. Vasili theksoi më tej se "duke mbështetur vullnetin, zellin dhe dëshirën për të kryer këtë detyrë të vështirë në këtë moment, unë mendoj se këto dy momente, pra sigurimi i vaksinës në kohën e duhur, dhe vazhdimi i promocioneve dhe edukimit shëndetësor intensiv mbeten dy pistat kryesore për përballimin e kësaj pandemie".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›