Topalli: Nuk ka negociata me Metën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mohuar dje të gjithë zërat se Kryeministri Berisha po realizon negociata të fshehta me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Ajo ka deklaruar nga Shkodra se ky nuk është një fakt i vërtetë dhe se negociatat ashtu siç ka deklaruar edhe Berisha do të jenë transparente dhe në kohën e duhur. Ndërsa në lidhje me deklaratën e Ramës se "PS-ja nuk do të ndalet deri në zgjedhje të parakohshme", Topalli është shprehur se kjo është një përpjekje e dëshpëruar e kreut të opozitës që ka ardhur si rrjedhojë e dështimit në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke i sjellë si shembull zgjedhjet e fundit në Ballagat, Topalli tha se me këto zgjedhje, populli i dha përgjigjen e fundit PS-së. Duke mos e vënë në diskutim fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit, Topalli ka vlerësuar edhe punën e institucionit të KQZ-së, i cili si asnjëherë tjetër në historinë e tij, tha ajo, certifikoi rezultatin e zgjedhjeve 7 me 0. Për Topallin, Partia Demokratike ka merituar fitoren e mandatit të dytë. Ajo tha se qytetarët e kanë vlerësuar me votë për atë që PD-ja bëri në mandatin e saj të parë. Sipas Topallit, mandati i parë ka qenë një sfidë e vërtetë për qeverinë "Berisha" së cilës iu desh të punojë fort për të ndërtuar një shtet i cili pothuajse nuk ekzistonte. Kur Berisha dhe PD-ja erdhën në pushtet më 2005-ën, tha Topalli, situata ishte mjaft e vështirë, vendi ishte i përfshirë nga korrupsioni i lartë shtetëror dhe nga trafiqet. Sot, sipas demokratëve, gjërat kanë ndryshuar dhe kjo u dëshmua nga fakti i anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, i aplikimit për vend kandidat për në BE, i mundësisë së liberalizmit të vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës dhe shumë premtime të tjera, të cilat demokratët i kanë realizuar gjatë mandatit të parë dhe që përfundimi i tyre do të arrihet gjatë mandatit të dytë qeverisës. Topalli, këto deklarime i ka bërë nga qyteti i Shkodrës ku ndodhej dje duke bërë disa inaugurime në Komunën e Bushatit. Komunë, e cila muajt e fundit ka qenë në vëmendje të qeverisë për numrin e investimeve të bëra atje. Topalli ka inauguruar ndërtimin e një rruge e cila të çon nga Bushati në fshatin Barbullush me një gjatësi prej 18 kilometrash dhe me një fond prej 19 milionë lekësh. Gjithashtu, kryetarja e PD-së ka inauguruar edhe punimet për ndërtimin e një fushë sportive në Komunën e Bushatit. Vitet e fundit në qytetin e Shkodrës dhe komunat përreth investimet janë shtuar ndjeshëm duke i ndryshuar fytyrën këtij qyteti, i cili u la pas dorë sipas demokratëve gjatë qeverisjes së PS-së për tetë vjet me radhë.