LSI: Rama të ëndërrojë, s‘do ketë zgjedhje të parakohshme
Ëndrra e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për zgjedhje të parakohshme do të zgjasë katër vjet. Ky ka qenë komenti i bërë nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së ndaj deklaratës së kreut të selisë rozë, se PS-ja nuk do të ndalet deri në zgjedhje të parakohshme. Për Vasilin, LSI-ja e ka shumë të qartë programin e saj elektoral dhe do të kërkojë që ky program të shkrihet me programin e qeverisë së re për të arritur forcimin e dimensionit social të kësaj qeverisjeje. Për sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, marrëveshja mes PD-së dhe LSI-së e cila do të bëhet evidente në javët në vazhdim do të garantojë një qeverisje solide, por dhe tërësisht të suksesshme, sepse theksoi, Vasili, ajo nuk është e ndërtuar në interesat e vogla të partive, por është e ndërtuar mbi interesat madhore të vendit që i impononin një zgjedhje të tillë politike. Gjithashtu, drejtuesi i LSI-së ka hedhur poshtë zërat e disa mediave se para pak ditësh ka pasur një takim të fshehtë mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Meta, të cilët po negociojnë për emrat që do të përzgjidhen në kabinetin e ri. "Sigurisht që ne i kemi ndjekur dhe i kemi përcjellë fantazitë e disa mediave që janë stabilizuar në standardin e tyre të mashtrimit sistematik mediatik. Është një e drejtë e tyre ta bëjnë këtë, sepse ne kemi dështuar në tentativën tonë për t‘i sjellë në parametrat e standardeve të së vërtetës, kështu që le t‘i lëmë të përkunden dhe ata në ëndrrat e tyre të mashtrimit veror", është shprehur Vasili. Duke dashur të mos bëjë shumë komente për këtë çështje, ai ka theksuar faktin se në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit shqiptar, qeveria e re do të paraqitet para shqiptarëve në fillim të shtatorit. Marrëveshja, mes PD-së dhe LSI-së, tha Vasili, do të bëhet në kohën dhe vendin e duhur, do të jetë shumë transparente ashtu sikurse i kemi ndërtuar marrëdhëniet me median, shumë larg transparencave asambleiste të PS-së, kjo marrëveshje do të realizojë atë mazhorancë solide e kërkuar nga prioritetet madhore që kërkon vendi. PD-ja dhe LSI-ja, megjithëse dy forca politike me bindje të kundërta, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, gjetën gjuhën e përbashkët duke rënë dakord për krijimin e një koalicioni bashkëqeverisës për katër vitet e ardhshme. Kjo erdhi si rrjedhojë e faktit që PD-ja me aleatët e saj nuk arriti të merrte e vetme 71 mandate për të krijuar qeverinë e saj. Berisha ftoi kryetarin e LSI-së, Meta, që të bashkëqeverisin dhe ky i fundit e pranoi menjëherë ftesësn, duke i çelur rrugë krijimit të një qeverie të re. Tashmë, pas shprehjes së KQZ-së, e cila publikoi zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve duke i dhënë mundësi Berishës dhe Metës të krijojnë qeverinë e re, këta të fundit janë në fazën e përzgjedhjes së emrave kryesorë që do t‘u besohen postet e larta ministrore. Pritet që LSI-ja të marrë një cipë të mirë të tortës së pushtetit, pasi nga burime jozyrtare bëhet e ditur se ajo ka kërkuar të paktën 4 ministri, duke mos lënë jashtë vëmendjes së saj edhe institucionin e Kuvendit. Por do të jenë ditët në vazhdim ato që do të zbardhin këtë enigmë, duke zbuluar njëherë e mirë se cili është "oreksi" i LSI-së. Gjithashtu, LSI-ja i ka vënë edhe një kusht Kryeministrit Berisha, ajo kërkon që me çeljen e sesionit të ri parlamentar dhe me krijimin e qeverisë së re të nisë puna edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Një kusht ky që mësohet të jetë pranuar nga Kryeministri Berisha. LSI-ja kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të zbatohet sistemi proporcional kombëtar me një prag rreth 2%. Një sistem ky, sipas LSI-së, që i shkon për shtat Shqipërisë dhe zgjedhësve shqiptarë.