Tiranë, policia bashkiake aksion për ndërtimet pa leje
Marrja e detyrës nga kryebashkiaku i ri i Tiranës është shoqëruar me një aksion të gjerë nga ana e bashkisë për marrjen e masave ligjore dhe bllokimin e subjekteve të cilat ushtrojnë aktivitete pa marrë lejet e përcaktuara nga ligji. Gjatë 24 orëve të fundit në 11 njësitë bashkiake të Tiranës, nga kontrollet e bëra nga policia bashkiake janë bllokuar 28 ndërtime pa leje. Po ashtu në kuadër të këtij operacioni janë zbuluar 76 subjekte tregtare të paregjitstruara të cilat nuk paguanin taksat e parashikuara nga ligji duke marrë masat e caktuara ndaj tyre. Në vijim të aksionit të bashkisë u morën masat ligjore ndaj 34 subjekte të cilat shfrytëzonin pa paguar hapësirën publike. Pjesë e këtij operacioni të bashkisë ishte edhe bllokimi i 19 automjeteve të parkuara gabim si dhe kontrollet e shumta dhe masat ndaj subjekteve të cilat shkaktonin ndotje akustike. Vetëm pak dita nga marrja e detyrës nga ana e Kryebashkiakut të ri Lulzim Basha, duket se vëmendja e aktivitetit të bashkisë është përqendruar në goditjen subjekteve të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në shkelje të detyrimeve fiskale si dhe në neutralizimin dhe bllokimin e ndërtimeve pa leje. Po ashtu ruajtja e qetësisë publike nga ndotja akustike si dhe rregullimi i hapësirave të parkingjeve nëpërmjet sekuestrimeve të mjeteve të parkuara gabim duket se do të jenë pjesë e aksionit të gjerë të ndërmarrë nga bashkia e Tiranës.