Tiranë, policia jep alarmin për implikimin e të miturve në vjedhje
Tiranë – Policia e kryeqytetit jep alarmin për implikimin e të miturve në vjedhje. Sipas burimeve brenda harkut kohor të 24 orëve të fundit, strukturat e Hetimit të Krimit kanë arritur të dokumentojnë tërësisht mekanizmin e vjedhjes dhe të identifikojnë dhe të kapin të mitur të implikuar në krim. Në të shumtën e rasteve pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje në prani të një përfaqësuesi ligjor dhe familjarëve të tyre, të miturit e implikuar janë ndjekur në hetim të lirë për shkak të moshës së tyre. Vetëm dy ditë më parë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë arritur të dokumentojnë vjedhjen e realizuar nga i mituri M. C., 11 - vjeç, banues në Tiranë. Pas realizimit të vjedhjes së një kompjuteri tip portabël në mjetin me targë Tr. 2706 në pronësi të një shtetasi, e ndodhur në rrugën “Sulejman Delvina” Tiranë, u përcaktua autorësia e kësaj vjedhje.
Po për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes” nga shërbimet e Komisariatit Kavajë u arrestua në flagrancë të shtetasit B. M., 16 - vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Xhafzotaj Durrës, i cili dyshohet se në bashkëpunim edhe me bashkëmoshatarin e tij R. K., lindur në Dibër dhe banues në Xhafzotaj dhe Ermir Karici, 19 - vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Xhafzotaj kanë vjedhur me thyerje një market në Golem. Në cilësinë e provës materiale ju sekuestruan sendet e vjedhura, si cigare të llojeve të ndryshme.
Po ashtu ndaj tyre është deponuar një tjetër kallëzim penal mbi vjedhjen e një tjetër marketi në Golemit, ku dyshohet se kanë marrë rreth 20 karta telefoni dhe shumën e parave prej 1 000 lekësh. Edhe tre të mitur të tjerë janë ndaluar nga policia në flagrancë. Burimet thanë se B. B., 13 - vjeç, lindur dhe banues në Babrru u kap në flagrancë duke vjedhur kioskën në pronësi të një shtetasi. Sipas policisë 13- vjeçari ka bashkëpunuar me dy bashkëmoshatarët e tij me iniciale J. A., dhe Xh. Q. Policia deklaron se më datë 21 korrik 2008 dyshohet se këta të mitur kanë realizuar vjedhjen e kioskës së një shtetasi, në rrugën “Xhorxh Bush”. Ndërsa të njëjtit persona dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e kioskës së një shtetaseje në rrugën “Lek Dukagjini”, në Tiranë më 12 korrik 2008. Pesë ditë më pas dyshohet se tre të miturit kanë realizuar vjedhjen e një kompjuteri në zyrat farmaceutike në Rrugën e Durrësit një kompjuter tjetër në zyrat e KESH-it, në Bulevardin “Bajram Curri”. Aktualisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë po punohet më tej, për dokumentimin tërësisht të tjera vjedhjeve të ndodhura në Kryeqytet.
Vodhën materiale ndërtimi, dërgohen në qeli
Tiranë – Dy vëllezër janë ndaluar nga patrulla e policisë ndërsa kishin hyrë të vidhnin materiale në një pallat që është në ndërtim e sipër. Burimet thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë arrestuan Shezai Matën, 38 - vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë dhe Nazar Matën, 43 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Kapja e tyre u krye në kushtet e flagrancës gjatë momentit të vjedhjes së disa materiale ndërtimi, në pronësi të një shtetasi.
Arrestohet beratasi, kishte realizuar disa vjedhje në Tiranë
Tiranë - Seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera realizoi ndalimin e Tonet Saraçi, 26 - vjeç, lindur dhe banues në Berat. Këtij shtetasi ju dokumentua tërësisht implikimi i tij në disa vjedhje. Sipas policisë më 30 qershor 2008 ky shtetas dyshohet të ketë realizuar vjedhjen e një parukerie në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
Po ashtu ai dyshohet të ketë realizuar vjedhjen e zyrës së avokatisë në pronësi të një shtetasi më 01 korrik 2008. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
24 Korrik 2008