Arrestohet, vrau me thikë 21-vjeçarin për prishje pazaresh
DURRËS – Pazaret e prishura janë bërë shkas që një 20-vjeçar të vrasë bashkëmoshatarin e tij dy ditë më parë me dy thika në zemër, por që është prangosur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Shijakut. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Fatjon Shehu, lindur në Peshkopi dhe banues në lagjen Nr. 13 në Durrës. Sipas tyre, ai dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Renato Koçiu, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës. Menjëherë pasi e ka qëlluar me dy thika 21-vjeçarin Koçiu, autori i krimit është larguar, ku vetëm pas rreth 12 orësh ai është prangosur. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur se Shehut i janë gjetur një sasi e konsiderueshme parash në valutë, gjë që ka hedhur dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur për prishje marrëveshjesh mes dy të rinjve.
Arrestimi
Përleshja mes Fatjon Shehut dhe Renato Koçiut ka përfunduar me vdekjen e këtij të fundit, i cili ka marrë dy goditje në zemër. Viktima është gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar me urgjencë policinë. Për të riun nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë, pasi ai ka rezultuar i pajetë që në momentin që është gjetur. Ngjarja ndodhi në zonën e plazhit, pranë një stacioni autobusësh. Menjëherë pas krimit, 20-vjeçari Shehu është larguar nga vendngjarja. Burimet policore bëjnë të ditur se pas kryerjes së verifikimeve të martën në mbrëmje, është bërë e mundur që të identifikohet autori i vrasjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se u bë menjëherë shpallja në kërkim dhe brenda 24-orëve u mundësua kapja e tij. “Shtetasi Fation Shehu akuzohet për veprën penale të ‘vrasjes me paramendim’ pasi dyshohet se më datë 22.07.2008, rreth orës 20.00, në lagjen Nr. 13 Durrës, ka goditur me mjete të mprehta, duke i shkaktuar vdekjen shtetasit Renato Kociu, vjeç 21”, - thonë burimet policore. Sipas tyre, gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore lidhur me këtë ngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë”.
Motivet
Gjatë kontrollit të personit të arrestuar në qytetin e Shijakut, policia i ka gjetur në gjepa shtetasit Fatjon Shehu një sasi të konsiderueshme parash, të cilat ishin në valutë të huaj. Burimet policore bëjnë të ditur se ai kishte me vete para në euro, franga zvicerane dhe dollarë. Kjo ka shtruar pistën e vrasjes për prishje pazaresh. Por një motiv i tillë nuk është pohuar ende zyrtarisht nga policia. Viktima ka qenë brenda në një lokal pranë zonës ku u gjet dhe aty është përfshirë në një sherr, që ka degjeneruar në përleshje me armë të ftohta. Koçiu ka marrë dy goditje me thikë; njëra në kokë, e cila ka qenë e parrezikshme; dhe një tjetër në zemër, e cila pati pasoja fatale për të.
Sipas njoftimit për shtyp, “nga hetimet e kryera deri ditën e mërkurë, rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta (një konflikt i mëparshëm për motive të dobëta midis dy personave)”. Tashmë shtetasi Fatjon Shehu akuzohet për veprën penale të “vrasjes” dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetim prokurorisë së rrethit.
Zbulohen 11 mijë fishekë kallashnikovi dhe arka me kapsolla
DELVINË – Zbulohet një arsenal i tërë municionesh dhe një arkë me kapsolla. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se ditën e mërkurë, në fshatin Vergo, rreth 12 kilometra larg qytetit të Delvinës, pranë një banese të braktisur, janë zbuluar 11 mijë fishekë kallashnikovi, si dhe një arkë me kapsolla. Gjatë grumbullimit të provave materiale, kanë rezultuar 6 arka metalike me fishekë kallashnikovi, 1 arkë plastike me kapsolla, si dhe një çantë shpine e mbushur me fishekë. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
24 Korrik 2008