E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirane, regjistrimi i pallateve, i bllokuar 400 objekte pa hipoteka

TIRANE-Burime nga Shoqata e Ndërtuesve thanë dje se problemi i regjistrimit të 400 pallateve në Tiranë mbetet shumë i ndërlikuar dhe kërkon një ndërhyrje politike, pavarësisht nga ligji i faljes fiskale, që nuk i jep zgjidhje permanente problemit.

Ndërtuesit presin nga kryetari i ri Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, që të angazhohet për të mbajtur premtimin elektoral për regjistrimin e pallateve të reja në kryeqytet. Ndërtuesit edhe më herët gjatë këtij viti ishin angazhuar të mundësonin zgjidhjen e këtij problemi, duke propozuar një projektligj të veçantë. Por, deri tani kjo përpjekje ka dështuar dhe burimet bëjnë të ditur se çështja është më e vështirë se ç'parashikohej. Sipas tyre, problematika që kërkon zgjidhje përfshin kompetencat e disa institucioneve dhe ndërthuret në një pjesë të madhe me probleme të pronësisë së tokës. Në shumë raste, kanë lindur mosmarrëveshje mes pronarëve të tokës dhe ndërtuesve, ndërsa në raste të tjera, janë verifikuar probleme me dokumentacionin e pronësisë.

Sipas vlerësimeve të Shoqatës së Ndërtuesve, janë rreth 400 pallate që kanë përfunduar dhe në pjesën më të madhe janë shitur, por blerësit e tyre nuk rezultojnë ligjërisht pronarë. Gjithnjë sipas llogarive të ndërtuesve, vetëm nga pagesat për regjistrimin e pallateve të reja, shteti do të përfitonte rreth 50 milionë euro.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›