Tiranë, sanksione ndërtimtarëve që punojnë objekte pa leje

Aksioni i prishjes se ndërtimeve pa leje në Tiranë ka vazhduar të dielën me shembjen e një shtese pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Bardhyl”, në njësinë bashkiake nr. 3 të kryeqytetit shqiptar. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Florenc Hoxha u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të mos ndërtojnë pa leje, duke u adresuar njëkohësisht këtë thirrje edhe firmave që shpërndajnë materiale inerte dhe ndihmojnë në një farë mënyre këtë proces, i cili do të jenë pjesë e sanksioneve ligjore nga ana e Inspektoratit ndërtimor.
“Gjej rastin për t’u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos ndërtojnë pa leje, pra të mos shpenzojnë kot, pasi nga ana jonë janë evidentuar dhe verifikuar në terren të gjithë ndërtimet informale, të bëra së fundmi në qytetin e Tiranës dhe do të goditen pa asnjë lloj përjashtimi”, tha ai, raporton Panorama.
Sipas tij, edhe firmat që shpërndajnë inerte dhe ndihmojnë në një farë mënyre, ndihmojnë ndërtimet pa leje, do të jenë pjesë e sanksioneve ligjore nga ana e inspektoratit.
“Më konkretisht, të gjithë pompat, betonierët apo mjetet e tjera që do të shërbejnë skelerinat dhe mjetet e tjera, do të bllokohen nga ana jonë deri në sekuestrimin e tyre, pra edhe një herë i garantojmë qytetarët e Tiranës se ne do të jemi në shërbim të tyre dhe do të godasim çdo ndërtim informal të paligjshëm që bëhet në qytetin e Tiranës”, tha Hoxha./Indeksonline/