E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, sot parada e komunitetit LGBT, masa të rrepta sigurie

TIRANE- Sot në ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, anëtarë të komunitetit LGBT (lezbike, gay, biseksual,transeksual) kanë zgjedhur kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën për paradën e tyre. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë është një përkujtim i heqjes së homoseksualitetit prej Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, bërë nga OBSH, më 17 maj 1990. 

Dje në Tiranë është zhvilluar edhe ekspozitën "Kukafshehti", e para e këtij lloji që adreson jetën dhe dashurinë e komunitetit gay, si pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Ekspozita ishte iniciativë e Aleancës Kundër Diskriminimit, LGBT, ndërsa mësohet se nuk ka marrë pjesë asnjë politikan shqiptar, përveç përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike në vendin tonë. 

Mësohet se shumë prej ambienteve ku do të zhvillohen këto aktivitete do të 'blindohen' në mënyrë që të mos krijohen incidente. Masat që janë marrë nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT kanë ardhur për shkak të debateve të forta që nisën në lidhje me zhvillimin e një parade gay në Tiranë. Veç policisë private, kryetarët e këtyre shoqatave kanë zhvilluar edhe një takim me drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe u kanë kërkuar mbështetjen e policisë bashkiake për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.

Kujtojmë se, përkujtimi i kësaj dite nga ky komunitet, nuk është pritur mirë në vendin tonë. Madje nga Partia e Legalitetit ka pasur deklarata shumë të ashpra drejtuar LGTB. Kreu i saj Ekrem Spahia ka bërë shpeshherë deklarata që kjo paradë të mos mbahej në vendin tonë, cënon moralin e shoqërisë shqiptare, siç tha ai.
Spahia shkoi deri aty sa kërkoi edhe shpalljen non grata për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në vendin tonë, zoti Henk Van den Dool.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare i ka cilësuar të papërshtatshme deklaratat e tij, ndërsa ka deklaruar se Shqipëria është një vend i lirë dhe si i tillë respekton çdo komunitet. 

Po dje edhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi bëri thirrje t’i jepet fund këtyre deklaratave diskriminuese të bëra nga politikanë të caktuar.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›