E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve tenton të rimarrë Ibrahimoviç

Me presidentin e ri, Andrea Anjeli, bardhezinjtë përgatisin revolucionin: synohen shtatë elementë për sezonin e ardhshëm Suedezi është në prag “divorci” me Barçën, vetëm pas një viti në “Kamp Nou”

Gonzalo Higuain nga Reali i Madridit te çelsi, Uejn Runi nga Mançester Junajtid te Reali i Madridit, David Vija nga Valencia te Barcelona. Këto janë lëvizjet e bujshme që po përfliten në merkaton e verës. Po Zlatan Ibrahimoviç? Momentalisht, emri i suedezit nuk llogaritet mes transferimeve të mëdha, ndërsa sulmuesi duket se nuk përfshihet më as në planet e presidentit të Barçës, Joan Laporta. Kjo ka bërë që te Juventusi të mendojnë seriozisht afrimin e 28-vjeçarit. Ky do të ishte një rikthim i Ibrahimoviç te “Zonja e Vjetër”, klubin që e mori nga Ajaksi dhe e shndërroi në një prej sulmuesve më të fortë në botë. Nuk bëhet fjalë thjesht për një spekulim, por për një mundësi konkrete: në javët e ardhshme, presidenti i ri i bardhezinjve, Andrea Anjeli mund të takohet me kolegun e tij “blaugrana” për të diskutuar rreth transferimit të mundshëm. E kaluara, që lidhet me largimin e Ibrës tek Interi në vitin 2006 menjëherë pas skandalit “Calciopoli”, nuk ka shumë rëndësi: te Juventusi kërkojnë vetëm të rikthehen te fitoret, një detyrë që do të lehtësohej shumë me kontributin e suedezit. Në këto momente, lojtari është i çorientuar nga ngjarjet te Barcelona. Ai duket i bezdisur nga sjellja e tifozëve katalanë, të cilët e kontestojnë vazhdimisht dhe e cilësojnë si fajtorin më të madh për rënien e skuadrës gjatë këtij edicioni. As marrëdhënia me shokët e skuadrës nuk është e mirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lidhjen me drejtuesit e klubit, të cilët nuk e shohin si një kampion që mund t’i sigurojë Barcelonës forcën e një sezoni më parë.
Ibrahimoviç nuk arriti të fitonte zemrën e trajnerit Pep Guardiola dhe të klubit të ri. Në këtë mënyrë, vetëm pas një sezoni, “bashkëjetesa” mes palëve duket se po shkon drejt fundit. Kjo edhe për faktin se presidenti Laporta po ndjek lojtarë të tjerë për ta rikthyer Barcelonën në majën e Europës: objektivi kryesor është sulmuesi i Valencias, David Vija, për të cilin thuhet se “blaugranat” e kanë blerë për rreth 40 milionë euro. Afrimi i sulmuesit të përfaqësueses spanjolle do të shtynte Ibrahimoviç drejt largimit, por klubet që mund ta blejnë lojtarin janë të pakët. Juventusi synon të përfitojë, duke i paraqitur katalanëve një ofertë prej 35-40 milionë eurosh, një shifër që mund të bëhet më e lartë pas një viti, nëse bardhezinjtë do të arrijnë rezultate prestigjioze. Alternativa të tjera për repartin ofensiv, ku në fund të sezonit do të largohet David Trezege, janë edhe Edin Xheko dhe Xhampaolo Pacini. Por, Ibra nuk është objektivi i vetëm. Te Juve pritet të ndodhë një revolucion i vërtetë. Përveç një sulmuesi, plani për rinovimin e skuadrës parashikon edhe afrimin e një mbrojtësi qendre, dy mbrojtës për krahët, një organizator dhe dy mesfushorë krahësh: ata do të jenë “shtatë fantastikët” që do ta kthejnë “Zonjën e Vjetër” sërish si pretendente.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›