E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksistët bllokojnë sheshin



zirina llambro

Rreth 500 taksistë të licencuar protestuan dje kundër informalitetit në shërbimin taksi. Kërkesat e tyre deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër. Pas marshimit në bulevard, taksistët u ndalën para Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës. Ata kërkuan forcim të kritereve të licencimit dhe marrjen e masave ndaj informalitetit, arsye që po i çon drejt falimentimit. "Nuk do të ndalemi para asgjëje, këtu do vijmë të protestojmë deri sa të dëgjohen kërkesat tona. Të gjithë taksitë në Tiranë po lyhen me të verdha dhe po punojnë në shërbimin taksi njësoj si ne që jemi taksapagues. Konkurrenca po na mbyt dhe po na falimenton dhe në këtë situatë nuk ndërhyn askush, as Policia e Shtetit as ajo Bashkiake", u shpreh kryetari i shoqatës së taksistëve, Gëzim Bardhi. Ai shtoi se kërkesa thelbësore ndaj institucioneve përkatëse është frenimi i liberalizimit pa kufi të licencave. "Për këtë i kërkojmë Ministrisë së Transporteve të vendosë kritere të forta. Kërkesa e dytë i drejtohet bashkisë, aty ku paguajmë taksat. Ajo duhet të na përgjigjet për shërbimin taksi që ofrojmë. Të na sigurojë vende parkimi, pasi po marrim gjoba pa fund nga policia rrugore, si dhe të ndalojë konkurrencën e pandershme përmes Policisë Bashkiake", tha Bardhi. Me një vendim të Ministrisë së Transporteve, taksitë e licencuara janë pajisur me taksimetrin, në bazë të të cilit qytetari paguan për shërbimin e kërkuar. Sipas drejtuesve të taksive, kjo ka shtuar detyrimet e tyre ndaj shtetit, ndërsa strukturat e tij nuk po bëjnë asgjë për ta. "Ne në vit paguajmë rreth 1 milionë e 600 mijë lekë taksa. Nuk është aspak normale, aq më shumë tani që tregu është liberalizuar, të jemi pikërisht ne që penalizohemi. Pasi ne sigurojmë bukën e fëmijëve dhe duam të jemi në rregull me shtetin, ndërsa të tjerë hanë në kurriz tonë", u shprehën taksistët. Sipas tyre, nëse do të ekzistonte vullneti i shtetit, brenda ditës nuk do të lëvizte më në Tiranë asnjë taksi e palicencuar. Ligji parashikon penalizime të forta për personat që ushtrojnë shërbimin taksi pa licencë. Në rast të kapjes së drejtuesit të automjetit, bllokohet makina dhe përveç kësaj merret edhe 100 mijë lekë gjobë. Nga gjobat që janë vendosur së fundmi nga Policia e Shtetit, asnjë nuk i përket personave që punojnë taksi pa licencë. Nëse në treg operojnë 533 taksi të licencuara, thuajse po kaq është dhe numri i atyre që nuk e kanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›