E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, thyhen xhamat e zyrës elektorale të Ilir Gjonit

TIRANE- Shënohet një tjetër incident elektoral në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamat e zyrës së deputetit socialist Ilir Gjoni në në njësinë bashkiake numër 3 të Tiranës.

Në një prononcim për NEWS24 deputeti Ilir Gjoni tha se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë orëve të natës, dhe shprehu shqetësimin jo për dëmin material sesa për simbolikën dhe tensionimin e situatës në këtë njësi bashkiake ku marrëdhëniet mes forcave politike, sipas Gjonit, kanë qenë gjithmonë qytetare.

“Nuk është bërë ndonjë dëm i madh se këto xhama janë, por e keqja është simbolika e saj dhe tensionimi i situatës. Në këtë njësi bashkiake marrëdhëniet mes forcave politike, mes meje, kandidatëve dhe përfaqësuesve të PD-së janë marrëdhënie qytetare. Ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme në këtë njësi qoftë simpatizantët qofte dhe ne personalisht me njëri- tjetrin. Përkundrazi kemi qenë shembull i një fushate qytetare të qetë.“- tha deputeti Ilir Gjoni.

Ai u bëri apel banorëve dhe forcave të rendit të tregojnë kujdes e të distancohen nga “këta njerëz që nuk i përkasin qytetarisë së kësaj lagjeje dhe në tërësi qytetarisë tiranase” .

Policia ka nisur veprimet procedurale për të bërë të mundur identifikimin e autorëve që thyen xhamat e zyrës elektorale socialiste.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Incident elektoral në njësinë 3 në kryeqytet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›