Konflikti mes familjeve, dy në pranga
SHKODËR Policia e Shkodrës ka ndaluar dy persona nga fshati Gimaj i komunës Shalë në Dukagjin, pasi dyshohet se kanë kanosur një familje në këtë fshat. Ndoc Gjinesha 43 vjeç dhe Gjon Marashi 56 vjeç, që të dy banues në fshatin Gimaj rrethi Shkodër, sipas policisë kanë kërcënuar seriozisht familjen e shtetases M. Musa, banuese në lagjen Gak të këtij fshati, pasi kanë me të një konflikt të hershëm dhe ka qenë kjo shtetase që ka bërë kallëzim, duke kërkuar ndihmën e policisë. Një vit më parë, në fshatin Gimaj është plagosur me armë zjarri 20-vjeçari Robert Musa pas një konflikti për motive pronësie, ndërsa ky ndodhej në oborrin e banesës së tij. Një ditë më pas, polica pati deklaruar se autori i plagosjes së 20-vjeçarit Musa ishte 13-vjeçari A. Marashi, i cili kishte qëlluar me automatik mbi Robert Musën, i shtyrë nga Ndoc Gjinesha. Policia pati ndaluar 13-vjeçarin dhe Ndoc Gjineshën, në banesën e të cilit ishte gjetur dhe arma e plagosjes dhe i mituri që dyshohej si autor i plagosjes dhe ishte shpallur në kërkim, i plagosuri mundi të shpëtojë, ndërsa Ndoc Gjinesha, me vendimin nr. 535 datë 02.12.2010 të gjykatës së Shkodrës u deklarua fajtor për veprat penale të “Shtyrjes së të miturit për të kryer krimin e vrasjes së mbetur në tentative”, “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” duke e dënuar me 15 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedures Penale, Ndoc Gjineshës iu zbrit 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht me 10 muaj burgim, kohë kjo e njëjtë me paraburgimin, duke sjellë lirimin e tij. Por megjithatë konflikti mes familjeve Marashi, Gjinesha e Musa ka vazhduar dhe sipas kallëzimit të bërë në polici nga M. Musa, ato e kanë kanosur. Ndoc Gjinesha dhe Gjon Marashi janë ndaluar nga policia me akuzën e kanosjes serioze të kryer në bashkëpunim. D.K.