Bosi i naftës kërkon lirinë në Gjykatë të Lartë
Tiranë Bosi i naftës, i arrestuar si një ndër organizatorët e mashtrimit me naftën virxhin, i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të rifituar lirinë. Hajri Elezaj, administrator i kompanisë “Euroil”, nëpërmjet avokatit të tij ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kundërshtuar vendimin e Apelit dhe shkallës së parë që vendosën ndaj tij “arrest me burg”, si i dyshuar për mashtrim me pasoja të rënda. Kjo çështje i është nënshtruar shortit elektronik, i cili ka përzgjedhur gjyqtarin relator, ndërsa data e shqyrtimit të saj pritet të jetë 4 maji. Biznesmeni Elezaj është i vetmi nga të arrestuarit e çështjes “virxhin” që i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar masën e arrestit. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kësaj gjykate, përveç biznesmenit Elezaj nuk rezulton asnjë i arrestuar tjetër që të ketë kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit penal. Pavarësisht me këtë kërkesë, e cila do të kundërshtohet në Gjykatën e Lartë nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, “Task Forcë” vijon hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit me naftën virxhin. Deri tani, janë siguruar të dhëna që tregojnë se kompania “Euroil” në bashkëpunim me kompaninë “Fisheku” kanë mashtruar konsumatorët duke përzierë naftën virxhin me benzinë, ndërsa zyrtarisht deklarohej se kjo naftë eksportohej jashtë vendit. Përveç biznesmenëve dhe punonjësve të këtyre dy kompanive, prokuroria thotë se të implikuar në këtë skemë mashtrimi janë edhe dy zyrtarë të Tatimeve e Doganave, të cilët kanë abuzuar me detyrën duke lejuar kështu kompaninë “Euroil” të vazhdojë aktivitetin e saj.