E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet detyrojnë 50-vjeçaren të mbytet në det

Mimoza Rexha kishte ardhur nga Gjermania dhe kishte pasur probleme të shumta ekonomike

DURRËS Është identifikuar pas 24 orësh kufoma e gruas që u gjet mëngjesin e së shtunës në plazhin e Durrësit. Ajo është Mimoza Rexha, 50 vjeç, dhe mendohet se shkaku i vdekjes së saj është mbytjes për shkak të borxheve të shumta. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Mimoza Rexha, lindur në Durrës dhe banuese në Tiranë, i ka dhënë fund jetës pas rëndimit të gjendjes psikologjike për shkak të një situate të vështirë ekonomike në të cilën ndodhej kohët e fundit. Të njëjtat burime kanë shtuar se 50-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, kishte punuar disa vite me radhë si emigrante në Gjermani dhe ishte kthyer më në fund në Tiranë. Në kryeqytet ajo ishte njohur me një shtetas turk, me të cilin është martuar. Të dy kanë pasur disa biznese në qytetin e Tiranës, por për arsye që nuk dihen bizneset kanë falimentuar njëri pas tjetrit duke e detyruar 50-vjeçaren që të marrë shuma të ndryshme borxh për të dalë nga situata e vështirë. Për shkak se borxhet nuk ka pasur mundësi që t’i shlyejë, madje situata ishte vështirësuar edhe më shumë kohët e fundit, mendohet se kjo gjë e ka shtyrë drejt vetëvrasjes. Mimoza Rexha është gjetur rreth orës 08.30 në sektorin “Apollonia” të plazhit të Durrësit në një distancë prej 500 metër nga bregu. Trupi i pajetë është parë nga anijet e rojes bregdetare, të cilat kanë njoftuar policinë kufitare. Një skaf i policisë kufitare që gjendet në portin e Durrësit e ka transportuar kufomën nga plazhi drejt kalatës zero, nga ku më pas ka përfunduar në morg me një nga autoambulancat e spitalit.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›