E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, vrasja, dyshimi i forti “rekrutues” vrasësish

TIRANE-  Halit Dedja, burrelsi i ekzekutuar në Tiranë dy ditë më parë mësohet se është hetuar për vite me radhë për urdhërues ekzekutimesh dhe njëkohësisht porositës vrasjesh në zonën e Burrelit dhe jashtë saj- zbulon sot Gazeta “Shqiptare”
Vetëm pak orë pas eliminimit të tij, eksponentë të hetimit, jo vetëm në Tiranë, kanë nisur të rihapin të “djeshmen” e 45-vjecarit duke u fiksuar pikërisht në hasmëritë e shumta të familjes së tij. Një dosje e vjetër hetimore është zbuluar në prokurorinë e rrethit të Burrelit, nga e cila është mësuar se emri i tij ishte vënë nën hetim për vite e vite me radhë, pasi ishte dyshuar si personi që kishte rekrutuar skuadër vrasësish me pagesë dhe që vepronin për llogarinë e tij. Referuar të njëjtave të dhëna bëhet e ditur se ky hetim kishte dështuar pasi asnjëherë nuk kishte mundur të faktonte diçka të tillë.

Pas ekzekutimit të 45-vjeçarit Dedja, emri i të cilit tashmë dyshohet dhe hetohet nga policia dhe prokuroria, për një sërë aktesh kriminale, kanë nisur edhe kopsitjet e dokumentacionit që kanë të bëjnë me bëmat e tij. Zanafilla e hetimit mësohet se shkon përtej vitit 1997. Nis me një vrasje të pazbardhur sot e kësaj dite, ekzekutim që u dyshua se u urdhërua dhe u pagua prej viktimës së dy ditëve më parë. Më pas nis zinxhiri i vrasjeve, dhe për asnjë nga eliminimet që janë kryer ndër rivalët e Halit Dedjas, emri i tij ka rezultuar i papërfshirë në vrasje. Nga meshkujt e familjes Kola, deri te një sërë ekzekutimesh të tjera, që sipas hetimit vendas kapin shifrën e të paktën 15 vrasjeve, për të gjitha është dyshuar Dedja. Policia dhe prokuroria asnjëherë nuk kanë mundur të vërtetojnë autorësinë e tij në eliminime duke shtuar kështu dyshimin se vrasjet urdhëroheshin prej tij. Dyshimi mësohet se ka nisur me vrasjen e babait të djemve Kola, vrasje që erdhi pas vrasjes së të atit, Feim Dedjes në qendër të Burrelit. Policia edhe pse në dijeni të gjithë lojës kriminale që luhej mes dy familjeve, nuk gjeti fakte që të implikonin direkt në vrasje Halitin.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›