Tiranë, vrasje me armë zjarri, 1 i vdekur, 2 të plagosur
Një sherr grash ka sjellë një të vrarë dhe dy të plagosur, pasi sherri i tyre është pasuar nga ai i burrave. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë pas pallatit të Shigjetave në lagjen ku banon komuniteti rom. Sipas policisë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes bënë me dije se zanafillën ngjarja e ka pasur nga një sherr mes tre grave, të cilat ishin jo vetëm fqinje por kushërira.
Pas kësaj kanë qenë bashkëshortët e tyre ata që kanë vazhduar më pas sherrin e nisur nga gratë, sherr ky që ka përfunduar me vrasjen e Arjan Mejdanit 25 vjeç dhe plagosjen e Sajmir Mejdanit 40 vjeç dhe Arben Muharremit 38 vjeç.
Sipas uniformave blu autori i dyshuar i këtij krimi është Artan Sharka, duket se këtë sherr nuk e ka kapërdirë dhe ka qëlluar me breshëri automatiku mbi tre kushërinjtë, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe gjatë transportiti për në spitalin ushtarak ka gjetur vdekjen 25 vjeçari Mejdani, ndërsa dy të tjerët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes Sharku i njohur si boksier ka lënë automatikun dhe është larguar nga vendi i ngjarjes por është arrestuar nga policia disa orë më pas.