Rruga e Arbrit prish varret, banorët ngrihen në protestë
BURREL/ HASAN PASHA
Të paktën 40 burra, përfaqësues të fshatit Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, kanë protestuar dje në trasenë e Rrugës së Arbrit. Shkak i këtij veprimi është bërë dëmtimi i varrezave, shtëpive të banimit, tokave, trojeve, pemëve frutore, ujit të pijshëm, dëmtimi i rrugëve nga ku banorët dërgojnë bagëtitë në kullotë etj. Kryetari i fshatit, Agim Allushi dhe banorët që morën fjalën në takimin e organizuar me përfaqësues të Bashkisë së Klosit dhe firmës zbatuese të projektit "Gjoka", thanë se është e patolerueshme dhe e pafalshme të nisë zbatimi i këtij projekti pa menduar më parë pasojat që sjell ai. "Dëmtimi i varrezave të fshatit është një dëm i madh moral dhe si i tillë nuk mund të pranohet nga ana jonë", u shprehën banorët e fshatit më të varfër në rrethin e Matit. Sipas tyre, ndërtimi i Rrugës së Arbrit është një gjë e rëndësishme për banorët e Qarkut të Dibrës dhe lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë, por pasojat që vijnë nga zbatimi i këtij projekti janë serioze. "Vërtet kjo rrugë është pagëzuar me emrin 'Rruga e Arbrit', por në fakt duhet quajtur 'rruga e varrezave'. Nga fillimi i fshatit dhe deri në fund të tij, gjatësia e të cilit është mbi 3 kilometra, janë vendosur varrezat. Sipas traditës së të parëve çdo fis ka varrezat e tij në krye të lagjes, pikërisht aty ku aktualisht po ndërtohet traseja e Rrugës së Arbrit. Projektuesit kanë vendosur piketat e rrugës mbi varret e të afërmve tanë. Ne jo vetëm nuk jemi pyetur, por jemi habitur kur mjete të tonazhit të lartë u janë afruar varreve. Këtë nuk mund ta pranojmë. Varret janë të shenjta dhe askush nuk mund t'i prekë ato", nënvizoi kryetari i fshatit Plan i Bardhë. Sipas Allushit, është njoftuar Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për shqetësimet e tyre dhe në emër të banorëve thekson se pa arritur një marrëveshje me bashkinë dhe firmën zbatuese të projektit nuk do të lejohet vijimi i punimeve", tha Allushi për gazetën "Panorama". Shqetësimi i banorëve të fshatit të largët vjen në rritje kur mësohet se një pjesë e mirë e varrezave nuk mund të lëvizin, sepse të afërmit e atyre që kanë ndërruar jetë janë jashtë vendit, në emigracion dhe disa prej tyre nuk kanë dokumente për t'u kthyer në vendlindje. Përfaqësuesi i firmës "Gjoka", Sulejman Cani, u shpreh se me dëshirën e fshatit, zgjidhja është caktimi i dy parcelave të reja për zhvendosjen e varreve.