E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Hyrja në Kuvend nuk ishte dështim, por as arritje e kauzës së PS



Aristir Lumezi

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, i kërkon Partisë socialiste dhe Partisë Demokratike të lëshojnë nga vetja për arritjen e kompromisit, i cili do të çonte në zgjidhjen e ngërçit politik. I kontaktuar në telefon nga "Panorama", zoti Pëllumbi e cilëson vajtjen në Kuvend të deputetëve socialistë për të bërë betimin, as dështim dhe as ndonjë arritje të madhe të kauzës së PS, për hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe bërjen e këtij hetimi përmes Kuvendit. Ai shprehet pesimist ndaj reagimit të maxhorancës në Kuvend, përballë ofertës së PS për miratimin e projektligjeve që do mundësonin hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke e vlerësuar hapin e bërë nga ana e deputetëve të PS që hynë në parlament dhe depozituan projektligjet që do të mundësojnë hapjen e kutive, zoti Pëllumbi është i mendimit se kërkohen dhe hapa të tjerë nga të dy palët, për të gjetur zgjidhjen e krizës. Profesori i socialistëve i kërkon palëve të mos merren me replika mes tyre, por të shohin me seriozitet propozimet e bëra. "Mendoj se maxhoranca duhet të shikonte me kujdes dhe seriozitet propozimet e PS dhe t'i vlerësonte ato, duke shmangur çdo lloj komenti dhe provokimi ndaj tyre. Në këtë moment mendoj se të dyja palët duhet të matin me kujdes hapat që do të bëjnë. Këtu duhet të investojnë që të dyja palët maksimumin e tyre", shprehet profesor Pëllumbi. Duke folur për përgjegjësinë që drejtuesit e dy forcave të mëdha kanë përballë ngërccit politik, zoti Pëllumbi shprehet se ata duhet të jenë të vetëdijshëm për sfidat që kalon vendi dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës përballë këtyre sfidave. Sipas tij, nësa ata dështojnë në zgjidhjen e krizës, ata duhet të rishohin pozicionin e tyre në krye të partive si të paaftë për ti ofruar shqiptarëve një zgjidhje që do ët hapte rrugën për liberalizimin e vizave dhe reformave të tjera.
Zoti Pëllumbi, të enjten deputetët socialistë hynë në Parlament duke bërë betimin dhe duke i dhënë fund debatit për djegien e mandateve. Si e gjykoni këtë moment?
Hyrjen e deputetëve socialistë në Kuvend e konsideroj hap pozitiv. Kjo tregon përgjegjësi për zgjidhjen e krizës. Por mendoj se në këtë drejtim, për të vajtur deri te zgjidhja reale e krizës politike, duhet më shumë se një hap, si nga PS ashtu dhe nga PD.
Deputetët socialistë në seancën e betimit depozituan dhe dy propozime për t'i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. çfarë duhet të bëjnë palët që të shkojnë drejt një zgjidhje të krizës?
Nga seanca e së enjtes unë jam pesimist për menaxhimin e këtij momenti; nuk kishte nevojë për provokime se "do të vazhdojmë me rendin e ditës" në një moment që opozita po linte bojkotin dhe po ulej në Kuvend, duke dhënë një ofertë për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se maxhoranca duhet të shikonte me kujdes dhe seriozitet propozimet e PS dhe t'i vlerësonte ato, duke shmangur çdo lloj komenti dhe provokimi ndaj tyre. Në këtë moment mendoj se të dyja palët duhet të matin me kujdes hapat që do të bëjnë. Këtu duhet të investojnë që të dyja palët maksimumin e tyre. Qeveria ka më shumë përgjegjësi sepse ajo ka shumicën për të pranuar këtë propozim. Nuk është fjala se kush e ka topin apo kush e ka kalin. Nuk është situata dhe koha për replika të tilla, gjërat duhen parë më seriozisht dhe më me përgjegjësi, nëse kërkohet realisht zgjidhja.
Hyrjen e deputetëve socialistë në Kuvend, përballë deklaratave se PS nuk shkon në Kuvend pa u hapur kutitë, e shihni si dështim të kësaj kauze?
Nuk do ta shikoja si dështim të kauzës së PS hyrjen në Kuvend, por as dhe arritje të madhe, por e konsideroj si hap të parë.
PS mund të ofrojë aftësi për të gjykuar që në kompromise duhet të lëshosh diçka, pasi në kompromise nuk ka triumfatorë dhe të humbur, por duhet të fitojnë të dyja palët.
Ju pak ditë më parë jeni shprehur se nëse kriza nuk zgjidhet, dy liderët politikë duhet të largohen si të paaftë për gjetjen e zgjidhjes. Pas konsumimit të ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar me palët, i qëndroni të njëjtës analizë?
Pas hapjes së kutive, nëse liderët e partive kryesore nuk arrijnë të zgjidhin krizën dhe bllokohet liberalizimi i vizave, ata duhet të rishikojnë pozitat e tyre, duke u treguar të paaftë për të drejtuar klasën politike dhe reformat në vend. Zgjidhja e krizës aktuale lidhet ngushtë me proceset integruese të vendit, siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›