Banorët: Të nisë vlerësimi i dëmeve
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Zbutet gjendja e përmbytjes në Shkodër, duke bërë që banorët dhe emer-gjencat civile të kthejnë sytë te procesi i dëmshpërblimit. Sipas prefektit Maxhid Cungu, do të bëhet vlerësimi i dëmeve në zonat ku ka pasur probleme më të mëdha. Por, për vetë banorët, duhet të ketë vlerësim real dhe procesi i verifikimit të nisë sa më parë, duke hedhur dyshime për mënyrën si është realizuar i pari. Të parët që kanë reaguar janë banorët e Ashtës, tani të lodhur dhe të rrënuar nga përmbytjet e njëpasnjëshme. "Nëse herën e parë u bënë vlerësime joreale, këtë herë nuk ka lëshim", thonë ata. Ndërkohë që në lidhje me dëmet janë shprehur se u është shkatërruar çdo gjë, madje rrjedha e fortë e Drinit ka marrë me vete dhe drunjtë frutorë e të mbjellat, të vetmet pasuri që ata kishin. Megjithatë, sipas prefektit Cungu, kjo do të ndodhë më vonë dhe e rëndësishme është që situata po përmirësohet dhe numri i objekteve dhe tokës së përmbytur po zvogëlohet. Ndërsa të premten numëroheshin 108 banesa, ditën e djeshme numri i tyre u reduktua në 74. Kthjellimi i pjesshëm i motit dhe uljet e shkarkimeve kanë zbutur situatën në rajonin e Shkodrës. Kjo ka sjellë dhe uljen e numrit të personave të evakuuar, nga 375 në 308. Megjithatë, sipërfaqja e përmbytur vazhdon të jetë mbi 6 mijë hektarë, pasi uji shpërndahet në gjendje të lirë, në varësi të terrenit, ndonëse reshjet pushuan. Në Komunën Dajç, në fshatrat Daragjat dhe Shirq, po vazhdojnë punimet për përforcimin e argjinaturave me thasë me rërë. Strukturat e Forcave të Armatosura po shpërndajnë me anë të varkave ndihma ushqimore dhe koncentrate në fshatrat Obot dhe Gorricë në Komunën Ana e Malit dhe në Komunën Dajç. Edhe në ças, Velipojë, strukturat e ushtrisë janë vendosur me 4 mjete, 1 ekskavator dhe 1 fadromë, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë e Bordit të Kullimit vazhdojnë punimet në përforcimin e argjinaturës. Përsa i takon gjendjes së akseve rrugore në zonën e Shkodrës, i pakalueshëm është vetëm aksi i rrugës për në fshatin Obot, ndërkohë të kalueshme vetëm për mjetet e larta janë akset rrugore nga kthesa e Dajçit deri tek ura e Shirqit, aksi rrugor i Gorricës dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë, tek ura e Gjo Lulit.
BURREL
Rruga nacionale Burrel-Peshkopi është kthyer në makth për shoferët dhe udhëtarët. Jo vetëm dëmtimi i gjithë magjistralit ka krijuar probleme, por shembjet e disa segmenteve në Shkopet, Kroi i Dungut dhe Klos Katund e kanë vështirësuar tej mase lëvizjen e mjeteve. Më problematike situata paraqitet në vendin e quajtur Kroi i Dungut, afro 1 km në dalje të qytetit të Burrelit. Rrëshqitja e vazhdueshme e trasesë së rrugës ka bërë që jo vetëm ajo të devijojë më shumë se 15 metra, por cedimi është problemi kryesor. Ndërmarrja e rrugëve nacionale dhe firma private që merret me mirëmbajtjen e saj kanë hedhur prej javësh tonaleta inerte për ta mbajtur rrugën në gatishmëri. h.p
Situata dje (ora 11:00)
Fierza
Prurjet 700 m3/s
Niveli i liqenit 293.63 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 350 m3/s
Turbinat në punë 4
Komani
Prurjet 400 m3/s
Niveli i liqenit 171.18 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 600 m3/s
Turbina në punë 4
Vau i Dejës
Prurjet 180 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 74.50 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 650 m3/s
Turbina në punë 5
Prodhimi 24.8 milion kwh
Eksporti(26.02.2010) 9.1 milion kwh
Austria 100 mijë euro për zonat e përmbytura
Një tjetër kontribut i shtohet fondit në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Veri të vendit. Shteti austriak do të ofrojë 100 mijë euro për situatën e vështirë që po kalojnë banorët në zonat e Shkodrës dhe Nënshkodrës. Presidenti i Dhomës Federale të Ekonomisë së Austrisë Kristog Laitl në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka bën me dije hapat që ka ndërmarrë kjo dhomë për të sensibilizuar shtetin dhe biznesin austriak. Pas kontributit personal prej 1 mijë euro Latil ka shpjeguar se edhe qeveria austriake ka rene dakord të mbështesë Shqipërinë me ndihme humanitare në shumen prej 100 mijë euro.
Përgjysmohen shkarkimet në HEC e Vaut të Dejës
Ulja e sasisë së reshjeve në pjesën Veriore të vendit ka sjellë një situatë më të qëndrueshme për kaskadën e Drinit gjatë ditës së djeshme. Në pasqyrën e të dhënave që disponon KESH vihet re një rënie e prurjeve dhe e shkarkimeve. Vau i Dejës ka përgjysmuar derdhjet nga porta duke ulur kështu sasinë e ujit që derdhet në Nënshkodër. Ndërkohë që nivelet janë ulur edhe në liqenet e hidrocentraleve të Fierzës dhe Komanit. Përsa i përket prodhimit në vend është vënë re një ulje e lehtë që sipas KESH ka ardhur për shkak të uljes së konsumit në vend. Përsa i përket eksportit ai vazhdon në kuotat e 9.1 milion kwh në ditë.