Minaret e Zvicrës
Endrit PODA
Jo rrallë dëgjojmë se nënshtetasit zviceranë vendosin vetë për çështje delikate të jetës së përditshme. Janë ata që kundërshtojnë aderimin e Konfederatës Zvicerane në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Zvicra është një shtet federal i përbërë nga 20 kantone dhe 6 gjysmë kantonë. Krahas pushtetit qendror në Bernes (kryeqyteti i Zvicrës), kemi dhe një farë autonomie në nivel organizimi e vetë menaxhimi të këtyre 26 entiteve.
Më konkretisht, duke iu referuar nenit 3 të Kushtetutës zvicerane, çdo kanton mund të ushtrojë lirisht kompetencat në rast se ato në një fushë të caktuar nuk i delegohen në mënyrë eksplicite nëpërmjet Kushtetutës, Pushtetit Qendror të Bernes. E thënë më thjeshtë, në rast se Berna kërkon të hartojë një projekt ligj në fushën e Shëndetësisë, Arsimit ose Sporteve, Kushtetuta duhet t’i atribuojë kompetencat e nevojshme.
Konkretisht pushteti qendror disponon kompetenca të shtrira në fushat e ekonomisë, politikave fiskale, gjyqësorit, rregullimit të territorit, ushtrisë dhe emigracionit, ndërsa kantonet kanë ruajtur kompetenca në fushat e arsimit dhe shëndetësisë.
* * *
Në përputhje me të drejtën tradicionale federaliste, legjislativi qendror zviceran përbëhet nga Këshilli kombëtar me 200 deputetë, të ashtuquajtur përfaqësuesit e popullit dhe nga ana tjetër Këshilli i shteteve me 46 deputetë, të ashtuquajtur përfaqësuesit e kantonëve.
Të dyja së bashku dhomat përbëjnë Asamblenë Federale. Anëtarët e Asamblesë Federale zgjidhen një herë në 4 vjet nga populli dhe kantonet me sistem proporcional. Nga ana tjetër, secili prej 26 kantoneve ka legjislativin e tij konform kushtetutave kantonale, të cilat parashikojnë mënyrën dhe formalitetet e zgjedhjes së deputetëve kantonal.
Ndryshe nga shtetet e tjera të Evropës përfshi edhe Shqipërinë, në Zvicër ekzekutivi është kolegjial. Rolin e ekzekutivit e ushtron Këshilli Federal i përbërë nga 7 këshilltarë. Duhet nënvizuar se të 7 këshilltarët kanë nivel hierarkik të njëjtë dhe janë titullarë të departamenteve (ministrive), të cilët emërohen, ngarkohen nga Asambleja Federalë.
Këshilli Federal i merr vendimet me shumicë të thjeshtë dhe çdo vit me sistem rotacioni zgjedh Presidentin e Këshillit Federal, i cili drejton mbledhjet e këtij institucioni. Anëtarët e këshillit federal zgjidhen nga Parlamenti dhe përfaqësojnë 4 partitë më të mëdha në Zvicër, që përbëjnë 80 për qind të elektoratit. Realisht në ekzekutiv kemi 2 parti të djathta, 1 të qendrës dhe 1 parti të majtë. Formula e drejtimit kolegjial është adoptuar edhe në ekzekutivët e 26 kantonëve.
* * *
Instanca me e lartë gjyqësore zvicerane është Gjykata federale. Kjo instance është e ndarë në tre dhoma: dhoma e çështjeve civile, dhoma e çështjeve penale dhe dhoma e çështjeve publike. Vlen për t’u nënvizuar, mungesa e një Gjykate Kushtetuese në Zvicër, funksionet e së cilës i kryen më së shumti Gjykata federale.
* * *
Le të ndalemi pak te roli i popullit në Zvicër, në rolin e konstitucionalistit.
Neni 139 i Kushtetutës federale zvicerane parashikon mundësinë e 100’000 nënshtetasve zvicerane, me zotësi të plotë për të vepruar, për të amenduar Kushtetutën. Pra, nëse këta shtetas paraqesin pranë sekretariatit të Këshillit Federal një iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës, e cila plotëson kushtet formale, automatikisht Këshilli Federal me pëlqimin e Asamblesë Federale ngarkohet për organizimin e referendumit.
Një nga shembujt e fundit, ku e drejta kushtetuese e iniciativës rezultoi efikase, ishte ndalimi i ndërtimit të minareve në të gjithë territorin e Zvicrës. Një iniciativë e tillë, e përpiluar nga segmente nacionaliste kaloi në referendum dhe mori pëlqimin e 58 për qind të votuesve dhe 22 nga 26 kantonevët. Në pamje të parë, kjo iniciativë nuk duhej të kalonte në referendum, pasi binte ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Zvicrës, kryesisht me nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikon lirinë fetare, si dhe me nenin 15 të Kushtetutës Federale zvicerane, që e interpreton gjerësisht këtë liri. Por, sipas Kushtetutës zvicerane dhe jurisprudencës së Gjykatës Federale, e drejta kushtetuese e iniciativës mund të kufizohet vetëm në rast se ajo shkel parimet e “jus cogens” (parimet me themelore dhe të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare).
Asambleja federale gjykoi se një iniciative e tillë nuk shkel parimet e “jus cogens” dhe e hodhi në referendum, duke i rekomanduar popullit që të refuzonte një iniciativë të tillë. Fakti ishte se ky rekomandim nuk u ndoq nga populli dhe kantonet zviceranë. Sot ekziston neni 79 paragrafi 4 në Kushtetutë që ndalon ndërtimin e minareve.
Nga ana tjetër, iniciativa kushtetuese ka sjellë një sërë reformash në fushën e sigurimeve shoqërore, në shëndetësi dhe i ka deleguar më shumë kompetenca pushtetit qendror. E drejta kushtetuese e iniciativës ekziston dhe në rang kantonal, ku kushtetuta federale, më saktë neni 50 paragrafi 2, i detyron kantonet të parashikojnë këtë të drejtë nëpërmjet kushtetutave kantonale. Gjithashtu, vlen për t’u përmendur se çdo propozim për ndryshimin e Kushtetutës me iniciativë të një grupi deputetësh ose ekzekutivi, në rast se merr pëlqimin e Asamblesë federale, kalon automatikisht në referendum ku populli dhe kantonët duhet të japin miratimin e tyre.
Kushtetuta zvicerane, ndryshe nga vendet homologe, parashikon se në rast të ndonjë propozimi për aderimin në një organizatë ndërkombëtare (p.sh. Bashkimi Evropian) ose në një organizatë që ka për qëllim sigurinë kolektive (NATO), duhet t’i nënshtrohet patjetër referendumit. Në vitet ‘90 pati një referendum të tillë, objekt i të cilit ishte aderimi i Zvicrës në Bashkimin Evropian, referendum i cili u refuzua nga shumica e kantonëve dhe nga 56 për qind e nënshtetasve zviceranë.
* * *
Përpos të drejtës kushtetuese të iniciativës, të drejtës për të dhënë pëlqimin në rast të ndonjë propozimi për ndryshimin e Kushtetutës, nënshtetasit zviceranë kanë të drejta dhe në nivel legjislativ. Pasi parlamenti miraton një ligj federal, nënshtetasit zviceranë kanë të drejtën që ta kundërshtojnë këtë ligj. Kundërshtimi bëhet nëpërmjet mbledhjes së 50’000 firmave në harkun kohor të 100 ditëve, pas miratimit të ligjit federal nga Asambleja federale. Në rast së kundërshtuesit e ligjit mbledhin 50‘000 firma brenda këtij afati, atëherë ligji i kontestuar kalon automatikisht në referendum fakultativ. Referendumi quhet fakultativ pasi jo çdo ligj kalon automatikisht në referendum, siç është rasti i ndonjë ndryshimi të Kushtetutës.
Instrumenti i referendumit fakultativ, jo vetëm që i jep një legjitimitet të gjerë çdo ligji të miratuar, por i detyron anëtarët e ekzekutivit, parlamentarët dhe grupet e interesit të arrijnë një konsensus, me qëllim evitimin e referendumit që jo vetëm pezullon hyrjen në fuqi të ligjit, por që ka dhe një kosto financiare jo të vogël për buxhetin e administratës.
Këto instrumente të demokracisë gjysmë direkte kanë dhe limitet e tyre. Le të shohim një shembull ku këto instrumente janë limituar në përfitim të të drejtave themelore.
Bëhet fjalë për kantonin Apenzel i lokalizuar në Zvicrën qendrore, i njohur ndryshe dhe si kantoni i Haidit. Ky kanton nuk ka njohur të drejtën e grave për të votuar për çështjet kantonale deri në vitin 1992. Kushtetuta e vitit 1920 e këtij kantoni ja jepte këtë të drejtë vetëm burrave dhe çdo tentativë për të ndryshuar Kushtetutën kalonte në referendum. Që nga viti 1920 e deri në vitin 1992, çështja kaloi mbi 10 herë në referendum dhe ‘’burrat’’ refuzonin sistematikisht ‘’gratë’, deri sa në vitin 1992 disa grupe interesi dhe shoqata që kishin për qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave e çuan çështjen në Gjykatën federale.
Gjykata federale duhet të zgjidhtë se cila e drejtë kushtetuese kishte përparësi, (institucioni demokratik i referendumit apo e drejta themelore e barazisë gjinore që përmban dhe të drejtën e grave për të votuar). Kësaj radhe, peshorja e drejtësisë, mes polemikave dhe debateve, anoi nga e drejta themelore e barazisë gjinore duke ‘‘detyruar‘‘ kantonin e Apenzelit të ndryshojë Kushtetutën pa pëlqimin e qytetarëve të këtij kantoni.
Pas tre vjetësh studimi të së drejtës kushtetuese zvicerane, kam arritur në përfundimin se këto instrumente demokratike kanë rritur së tepërmi besueshmërinë e shoqërisë ndaj klasës politike të këtij vendi.
*Student (viti i 3-te), Universiteti i Gjenevës, Fakulteti i Drejtësisë