E Diel, 1 Nëntor 2026

Tito-Hoxhës: “Jeni ju fajtorë për krizën tonë”

Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, 26 nëntor 1956 – Presidenti jugosllav, Josif Broz Tito, tashmë në marrëdhënie të acaruara me Bashkimin Sovjetik dhe qeverinë e Kadarit në Hungari, sot bëri një sulm ndaj një tjetër fqinji komunist, Shqipërisë. Një letër e përpiluar me fjalë të studiuara dhe korrekte i kërkonte Shqipërisë të jepte informacion lidhur me ekzekutimin e një qytetari jugosllav në Tiranë javën e shkuar, me akuzën e spiunazhit. Vëzhguesit këtu nga kryeqyteti jugosllav e konsideruan këtë letër sikur donte të përcillte një konflikt të dukshëm mes dy qeverive komuniste. Qytetari jugosllav, Petar Bulatoviç, dhe dy udhëheqës “titistë” shqiptarë u ekzekutuan javën e kaluar me akuzën e spiunazhit për një “fuqi të papërmendur”.

Faji i hidhet Hoxhës

Ekzekutimi është konsideruar tashmë në shtypin jugosllav si një gjest antijugosllav nga ana e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Ky i fundit nxiti zemërimin jugosllav dy javë më parë me anë të një artikulli shkruar në gazetën e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, “Pravda”, i cili kritikonte llojin jugosllav të komunizmit. Këto tri ditët e fundit, me letrat dërguar Shqipërisë, Hungarisë dhe Bashkimit Sovjetik për “rrëmbimin” e ish-kryeministrit hungarez, Imre Nagi, kujtuan vitet e debatit brenda Kominternit kur Jugosllavia dhe shtetet e bllokut lindor zhvilluan një luftë virtuale letrash. Në një tjetër nivel, në planin ideologjik, një përgjigje e hollësishme ndaj sulmit të “Pravdës” ndaj Jugosllavisë të premten e kaluar u kuptua se do të shqyrtohej nga udhëheqja e vendit.

Rënia e prodhimit

Zëvendëspresidenti jugosllav, Svetozar Vukmanoviç, i cili është njëkohësisht edhe shefi i planifikimit ekonomik, zbuloi në Parlament ditën e sotme se prodhimi bujqësor jugosllav i këtij viti ishte 12% më pak se ai i një viti më parë. U përmend gjithashtu se “Pravda” e theksoi problemin e prodhimit bujqësor jugosllav, duke nënvleftësuar “rrugën e Jugosllavisë drejt socializmit”. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Jugosllave, ia dorëzoi letrën “spiune” ambasadorit shqiptar këtu në Beograd, zotit Pirro Koçi. Bulatoviçi, të cilin shqiptarët e quanin thjeshtë Bulati, ka lindur në Malin e Zi dhe ka baba jugosllav dhe nënë shqiptare. Ai kishte aplikuar për kthimin në atdhe, (Jugosllavi) por shqiptarët e konsideronin atë si shtetas shqiptar. Dy personat e tjerë që u ekzekutuan së bashku me Petar Bulatoviçin ishin Dali Ndreu, ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gruaja e tij, Liri Gega, një ish-anëtare e Byrosë Politike. Që të tre këta ishin shokë të Koçi Xoxes, udhëheqësit shqiptar të ekzekutuar për “titizëm” në vitin 1949.

Artikulli i “Pravdës”

Një debat mes udhëheqësve të vendeve fqinje komuniste të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, mund të rezultojë shumë kollaj në një betejë të vërtetë politike, e cila do të trondisë botën komuniste. Ajo mund të çojë në një ringjallje të konfliktit ndërmjet Kremlinit dhe presidentit Josif Broz Tito, madje po aq i hidhur sa edhe konflikti që ekzistonte përpara se Stalini të vdiste. Disa vite më parë, Presidenti i Jugosllavisë e quajti njeriun e Kremlinit, gjeneralin Enver Hoxha, si kandidatin e tij për ta shpallur armikun publik numër një të Evropës Lindore. Ai e denoncoi Hoxhën si një analfabet politik, i cili ka penguar demokratizimin e Shqipërisë, duke shpifur mbi Jugosllavinë dhe Poloninë, një burrë që pret të qëndrojë si barrë në “kurrizet e njerëzve të tij” me ndihmën e elementëve reaksionarë stalinistë në Bashkimin Sovjetik. Titoja e bëri të qartë se ai e do Hoxhën dhe kastën e tij politike larg nga pushteti. Dënimi i Titos për Hoxhën erdhi për shkak të një artikulli të botuar më 8 nëntor në gazetën moskovite “Pravda”, ku udhëheqësi shqiptar sulmonte ashpër Titon. Në artikullin e Enver Hoxhës shkruhej: “Partia jonë, si gjithmonë do të drejtohet nga shembulli i lavdishëm i Bashkimit Sovjetik, i themeluar nga i madhi Lenin, i cili konsiderohet dhe e konsideron mëmëdheun e tij si mësuesen e tij. Partia jonë do të flasë gjithmonë hapur kundër atyre që përdorin vetëm luftën kundër kultit të individit, futur me forcë në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe që përpiqen të diskreditojnë partinë e lavdishme të Leninit në mënyrë që të kultivojnë vetë personalitetin e tyre. Këta lloj “miqsh” me ndihmën e të ashtuquajturave “sloganet socialiste”, po përpiqen të shikojnë qimen në sytë e njerëzve të tjerë, por nuk shikojnë traun në sytë e tyre”. Faktori serioz shqetësues i kësaj në pikëpamjen e Titos, është se “Pravda” e publikoi artikullin dhe në këtë mënyrë i vuri vulën e saj të mbështetjes një anulimi të mundshëm të marrëveshjeje që mbërriti gjatë rrugës së riafrimit të Bashkimit Sovjetik me Titon, ku theksohej se çdo vend socialist ka të drejtë të ndjekë një rrugë të veçantë të socializmit. Në dënimin e ashpër bërë kundër Hoxhës në artikullin e tij në “Pravda” më 8 nëntor 1956, Titoja tha se mbas këtyre lloj shkrimesh “fshihet Hrushovi ose udhëheqës të tjerë sovjetikë”. Për Titon “një i ashtuquajtur marksist si Enver Hoxha, i cili mund vetëm të shqiptojë fjalët marksizëm-leninizëm dhe asnjë fjalë tjetër, shkruan një artikull për Jugosllavinë, pa e përmendur me emër vendin e tij, por duke e sulmuar ashpër si Jugosllavinë, ashtu edhe Poloninë”. Sipas Titos, artikulli i Hoxhës dënon tendencat e qasjeve të veta në rrugën e socializmit. “Ai shkon aq larg sa që është kundër dhe gjërave që vetë Hrushovi dhe udhëheqësit e tjerë sovjetikë mbështesin, për shembull rrugët e veçanta drejt socializmit”, - tha Presidenti jugosllav. “Një faqezi i tillë guxoi jo vetëm të përgojojë dhe të jetë kundër Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të mëdha socialiste, por ai është kundër dhe vetë udhëheqësve sovjetikë. Të tillë elementë stalinistë mendojnë se njerëzit e llojit të Stalinit ekzistojnë ende në Bashkimin Sovjetik dhe do tu japë atyre mbështetje në këmbim të lejimit të tij që të sundojë mbi popullin e tij. Kjo lloj sjelljeje është fatale”, - tha lideri i Partisë Komuniste Jugosllave.

Ky lajm është publikuar: 19/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›