Tituj të rinj, në stendat e librarive
Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar me një numër librash të rinj, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Disa prej tyre janë: Rruga është romani më i ri i autorit Cormac Mc Carthy. Në këtë roman, të botuar në shtëpinë botuese Dudaj, trajtohet historia e një burri, që sëbashku me djalin e tij, marrin rrugën për t'u arratisur nga një qytet i shkatërruar. Duke u endur mes aventurave pafund, shpresa e tyre për të gjetur një vend më të mirë shuhet, në momentin kur ata kuptojnë se e gjithë bota është e shkatërruar dhe asgjëkundi nuk mund të gjendet një vend ideal për ta.
Pranë lexuesit sapo është hedhur në treg libri "Amerika", i autorit francez Jean Baudrillard, përkthyer në shqip nga Balil Gjini. Një nga arsyet pse shtëpia botuese "Zenit" ka përzgjedhur pikërisht këtë libër të shkruar nga një autor francez, është për të treguar vizionin që ka Europa kundrejt një prej fuqive më të mëdha botërore, Amerikës. Në këtë libër kufijtë midis esesë, reportazhit dhe letërsisë janë të pandashme. Për lexuesin shqiptar ky libër nuk shërben vetëm në kuadrin e njohjes, por dhe si një nxitje për të analizuar vetveten. Libri Amerika sjell një sintezë mes njeriut dhe relievit, të amerikanëve me natyrën amerikane, dhe kjo na shtyn për të analizuar mbi raportet që ekzistojnë mes shqiptarëve dhe Shqipërisë. Në planin teorik, vepra na bën që të krijojmë një vizion se si mund të jetë Shqipëria përmes sjelljes së shqiptarëve, sa në simbiozë është shqiptari më natyrën shqiptare. Jetë dhe vdekje në Ballkan është libri i autorit Bato Tomasheviç. I trajtuar si një libër dokumentar, në të sillen ngjarje dhe histori të ndryshme njerëzore të një vendi të trazuar, të cilësuar si pjesa e keqkuptuar e Europës. Libri paraqitet si një sagë familjare në një shekull konfliktesh. Ky libër është botuar në shtëpinë botuese Onufri dhe kushton 1500 lekë. Vetmia e numrave prim është romani më i ri i autorit italian Paolo Giordano. Ky botim, i sjellë nga shtëpia botuese Dudaj, vë në qendër të tij histori nga jeta e dy adoleshentëve, Aliçe dhe Matia. Ngjarjet dhe situatat e ndryshme që prezantohen në libër do t`i shoqërojnë personazhet drejt aventurave dhe të papriturave që ofron kjo moshë. Sindroma Shopping është libri psikologjik që sjell për lexuesin shqiptar autorja italiane Maria Franeska Venturo. Në një këndvështrim origjinal, autorja trajton në libër një analizë psikologjike të marrdhënies shitës-blerës. Varësinë e femrave ndaj veshjeve, modeleve dhe ngjyrave te reja që ofrohen ne dyqane si dhe kodin që përdorin shitëset për të klasifikuar klientet e tyre. Ky libër është botuar nga shtëpia Dudaj. Shërbimi sekret shqiptar është libri më i ri i autorit Thimo Baze. Në këtë botim të shtëpisë botuese Dingu, autori tenton të sjellë një këndvështrim bashkëkohor mbi Shërbimin Sekret në Shqipëri. Në të sillen fakte dhe dokumente të shumta, të cilat e bëjnë librin më interesant.