Vizitorë të shumtë, në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë
Jugu i vendit përveçse detit dhe bukurisë natyrore, është bërë një vend atraktiv për turistët vendas dhe të huaj dhe për vlerat arkeologjike dhe muzeale. Kështu këto ditë vere Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në qytetin e Vlorës është bërë një nga destinacionet turistike më të pëlqyera këtë vit për turistë vendas dhe të huaj, pasi në të pasqyrohet një ndër periudhat më të lavdishme të kombit shqiptar.
Nga drejtuesit e muzeut bëhet e ditur se vetëm në muajin qershor muzeu u vizituan nga rreth 800 shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, turistë huaj nga Italia, Holanda, Kroacia, Mali i Zi. Që nga fillimi i vitit, 3000 turistë e kanë vizituar atë. Sipas drejtuesve të muzeut numri i vizitorëve këtë vit është rreth 20 përqind më i lartë nga një vit më parë, ku vjet Muzeun Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë e vizituan rreth 4200 vetë. Godina, një ndërtesë dy katëshe në afërsi të portit të qytetit ku është vendosur Muzeu Kombëtar i Shpalljes së Pavarësisë në qytetin e Vlorës është ndërtuar në shekullin XIX. Për rreth 6 muaj nga 28 Nëntori 1912 deri në vitin 1913, ajo shërbeu si rezidencë për qeverinë e parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Godina ka 8 dhoma dhe e pajisur me mobilie të shekullit kur u ndërtua. Në mjediset brenda saj, veçohen zyra e kryetarit të Qeverisë, Ismail Qemalit, salla e mbledhjeve të qeverisë, etj. Për vlerat arkitektonike e historike, kjo ndërtesë është shpallur monument kulture. Tre vjet më parë, Muzeu i Shpalljes së Pavarësisë, u shpall objekt muzeal kombëtar në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Interesimi në rritje për të vizituar Muzeun Kombëtar të Pavarësisë është rrjedhojë edhe e promovimit të tij muajt e fundit përmes zbatimit të një larmie formash, mes të cilave, edhe futja e një faqeje në internet. Me qindra të rinj e të reja nga Kosova e Maqedonia po vizitojnë gjatë këtyre javëve muzeun për t'u njohur nga afër me historinë e përbashkët kombëtare. Historiku i godinës ku është vendosur muzeu, përmbajtja dokumentare dhe pasuria e objekteve që ndodhen në mjediset e tij vlerësohen mjaft nga vizitorët. Përmes një programi të institucionit, ku synohet evidentimi i vlerave, janë përgatitur botime me materiale të muzeut, si dhe fletëpalosje të përmasave të ndryshme.