E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu: Drejtor politik apo drejtor teknik

Probleme të restaurimit dhe konservimit të trashëgimisë.


Natyrisht që në një institucion të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, siç është muzeu, roli i drejtuesit është shumë, shumë i rëndësishëm.


Deri më sot drejtuesit e muzeumeve kanë qenë kryesisht historianë, të bindur për të përçuar në muze porositë e partisë, që i ka emëruar. Ka raste kur drejtuesi i muzeut ka qenë gjuhëtar, apo i ndonjë specialiteti që nuk lidhet me profilin e punës muzeale.


Ka edhe të tillë, që të ndershëm ndaj ndërgjegjes së vet, kanë pranuar pamundësinë e drejtimit të një institucioni të tillë dhe kanë kërkuar largimin.
Jeta e një muzeumi është komplekse dhe mund të përmblidhet në tre parime:
Propagandimi i koleksioneve që ai mbart.


Pasurimi i muzeut me koleksione të reja.
Konservimi i koleksioneve që ai ruan.


Nuk mund të thuash se cila prej këtyre pikave është më e rëndësishme. Ato janë njëlloj të rëndësishme në profilin e vet dhe duhet të funksionojnë të harmonizuara. Sidomos propagandimi, pra ekspozimi dhe konservimi.
Objektet ruhen në të gjitha hallkat:


* Në ekspozim, ku ka përkujdesje për klimën, ndriçimin, rrezatimin UV, pastërtinë, ndotjen atmosferike, infeksionin nga insektet.


*Ruajtjen në fonde, (fondet janë tërësia e objekteve në ruajtje), ku tregohet e njëjta përkujdesje si edhe në ekspozim, por edhe për sistemimin fizik pa dëmtime; madje edhe kur lëvizen objektet ka teknika të sigurta, të paimagjinueshme për një njeri jashtë muzeumit dhe që mund t'i duken si veprimet e një njeriu të fantaksur.


Por ja që kështu është muzeumi, duhet të trashëgojë përgjithmonë objektet që ka dhe qoftë edhe një dëmtim i parëndësishëm për të tjerët, është alarm për muzeun. Ka edhe rregulla, apo veçanti se si duhen fotografuar objektet, si duhen kapur, si duhen transportuar,etj.
*Trajtimi laboratorik.


Si funksionon kjo punë në Shqipëri?

Nuk funksionon fare!


Drejtori që duhej të ishte kapiten i drejtimit nuk di asgjë nga ana teknike e
trashëgimisë. Fatkeqësisht drejtorët nuk dinë asgjë se çfarë po u ndodh me ecurinë e dekompozimit të objekteve. Dhe nuk është çudi që dëmet më të mëdha në muzeume i bëjnë pikërisht drejtorët. Natyrisht jo me dashje, por nga padija.


Shpesh jam munduar t'u shpjegoj drejtorëve problemet më kryesore të konservimit muzeal. Por akoma pa arritur të përfundoj "programin", politika i ka ndryshuar drejtorët dhe e kam filluar punën nga e para. Pastaj prapë nga e para. Prapë, e prapë. I deziluzionuar kam hequr dorë me kohë nga kjo punë.


Drejtorët e muzeumeve i emëron politika për të paraqitur ideologjinë ashtu siç e kupton forca politike në pushtet, ose për t'u gjetur punë militantëve.


Linja e propagandimit të idesë së një muzeumi nuk varet nga drejtorët, por nga një këshill ekspertësh. Nëse kjo nuk është kompetencë e drejtorit, atëhere ky drejtor që nuk e di se çfarë është konservimi, nuk është në gjendje të trashëgojë pa u dëmtuar objektet që ka, nuk mund ta organizojë dot punën.


Është kjo arsyeje që bota e qytetëruar e ka zgjidhur ndryshe këtë problem: drejtori nuk është person politik, por konservator, por më mirë në shqip do të shkonte fjala konservues, por pa nënkuptuar kiminë. Kam patur raste të bisedoj me drejtorë të tillë në disa muzeume të Evropës dhe kam konstatuar t'i njohin problemet e konservimit muzeal në një shkallë të krahasueshme me njohuritë e mija, që merrem me këtë punë.


Një drejtor i tillë di se çfarë të bëjë me muzeun, ai nuk suvaton sallat me objektet brenda dhe koordinon të gjitha hallkat vepruese të muzeut.


Kjo është edhe arsyeja pse drejtori i muzeut nuk duhet të jetë nomenklature rezervë e politikës, por teknik, të themi një historian i specializuar në konservimin muzeal.
Vetëm në një konceptim të tillë do të mund të kemi trashëgimi të objekteve kulturore.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›