E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokalet e natës, shkaktarët kryesorë të ndotjes akustike në Tiranë

Zhurmat janë kthyer në gangrenën e qytetarëve të Tiranës. Në kryeqytet ndotja akustike është bërë një nga problemet kryesore që i shqetëson ato gjatë gjithë 24 orëve të një dite. Trafiku i rënduar, zhurmat e lokaleve, restoranteve dhe pube-ve janë shndërruar në refrenin shoqërues të të gjithë banorëve të kryeqytetit. Akoma më shqetësuese kjo situatë bëhet në orët e vona të natës ku lokalet e natës buçasin nga zhurmat e mëdha duke krijuar stres të vazhdueshëm tek këta banorë. Sikur të mos mjaftonte niveli alarmant i ndotjes së ajrit dhe i rrugëve në Tiranë, që zë vendin e parë në Evropë si një nga kryeqytetet më të ndotura tani ajo është radhitur edhe në një nga kryeqytetet me ndotje të madhe akustike jashtë çdo lloj norme të lejuar. Në bazë të një vëzhgimi që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar se bezdisja e qytetarëve të Tiranës nga zhurmat është një kushte skandaloze. Sipas këtij studimi është bërë e ditur se më shumë se 50% e banorëve të kryeqytetit kanë probleme serioze nga zhurmat. Këto lokale që guxojnë ta ngrenë zërin e muzikës në maksimum nuk i kontrollon askush. Janë thjeshtë zërat e banorëve që si zakonisht bien në vesh të shurdhët. Prej disa kohësh Bashkia e Tiranës as nuk do tia dijë fare për këtë shqetësim megjithëse është një pjesë që e ka jo drejtpërdrejtë nën administrim. Vetëm në momentet që sheh se arka e parave po i boshatiset nxjerr policët e saj të vënë disa gjoba tek këto lokale dhe nuk shihet më aty për disa kohë. Harron ti vërë kushte dhe ti detyrojë këto lokale dhe pube që të mos e ngrenë zërin aq shumë duke i lënë pa gjumë qindra qytetarë të Tiranës për net me radhë.
ISHP: 50% e qytetarëve të Tiranës vuajnë nga ndotja akustike
Instituti i Shëndetit Publik mori në studim 275 familje në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës. Në fakt, rezultatet dolën problematike, pasi pjesa më e madhe e banorëve ankohen nga zhurmat. "Ky studim tregoi se përqindja e popullatës së bezdisur nga zhurmat ishte 44 për qind, ndërsa përqindja e popullatës së bezdisur ishte 28 për qind dhe më alarmantja është se përqindja e popullatës me çrregullime të gjumit ishte 50 për qind",- bëhet e ditur në raportin e ISHP-së, duke shtuar se këto të dhëna janë shumë problematike dhe ndikojnë negativisht mbi shëndetin e popullatës.
275 familje janë marrë në studim në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës. Sipas specialistëve të ISHP-së, zhurmat shkaktojnë nervozizëm, stres dhe deri në shurdhim, kur janë të forta. Zona më e ndotur dhe më e shqetësuar nga zhurmat është ajo e bllokut. Kryesisht kjo zonë ka si problem kryesor zhurmat e lokaleve të natës. Banorë të kësaj zone na kanë pohuar se janë ankuar shpeshherë në Bashkinë e Tiranës lidhur me këtë problem por kurrë nuk kanë marrë një përgjigje. Madje ata kanë nënshkruar edhe peticione të shumta dhe i kanë dërguar në zyrat e bashkisë por ata kurrë nuk kanë ndarmarrë masa serioze për ta zgjidhur këtë problem. E vetmja gjë që kanë bërë është vënia e disa gjobave që nuk ka ndryshuar asgjë veçse i ka bërë këto lokale që ta rrisin edhe më tej aktivitetin e tyre pasi duhet të nxjerrin edhe lekët e gjobave, kuptohet. Ankesat dhe zërat e qytetarëve si zakonisht kanë rënë në vesh të shurdhët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›