Nis me erë jo të mbarë
Festivali i Teatrit në Butrint
Butrint
Nëse forcat e natyrës do të kishin qenë në humor të mirë mbrëmjen e së shtunës, datëlindja e 10-të e Festivalit të Teatrit "Butrinti 2000", do të kishte qenë një mbrëmje më e bukur. Por, për fat të keq, gjërat nuk shkuan ashtu si i kishin menduar organizatorët.
Era që frynte nga Deti Jon, pengoi zhvillimin e ceremonisë që ishte menduar të mbahej në verandën e hotel "Butrintit", në qytetin e Sarandës. Kështu, të gjithë të ftuarit e këtij jubileu u detyruan të nguceshin në sallën e konferencës së hotelit.
Në fjalën e tij të hapjes, drejtori Artistik i Festivalit, Alfred Bualoti, bëri një përmbledhje të shkurtër të historikut 10-vjeçar të festivalit, pa harruar të përmendë (kjo ishte edhe pjesa më e gjatë) emrat e të gjithë atyre që kanë kontribuar për rritjen dhe vazhdimësinë e këtij festivali.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardjan Turku, i cili nuk tha as më pak dha as më shumë se sa ka thënë përherë në kaq pak kohë ministër, në ceremoni të këtij lloji.
Edhe pse Festivali i Butrintit mbetet financiarisht beniamini i kësaj ministrie për një kohë të gjatë, Turku premtoi: "Këto nisma kërkojnë mbështetje nga Ministria e Kulturës, dhe ky festival zë një vend të veçantë për meritat që ka, duke mbërritur në dhjetë vjet në skenën e Butrintit", - u shpreh ministri, i cili shtoi se ky është një aktivitet elitar dhe, në të ardhmen, Ministria do të përpiqet që të mbështesë më shumë aktivitete të tilla.
Sigurisht, kjo fjalë e Turkut ishte sa për skemë fjalimi, sepse dihet që, Turku 3 muaj në detyrë, është një ministër transit, në pritje të qeverisë së re.
Në mbrëmjen jubilare u shfaq edhe dokumentari "Rilindja e teatrit në Butrint", të cilin Bualoti e cilësoi, Dekalogu i fetivalit. Në 27 minutat e tij jepej historia e 9 edicioneve. Aktorët që kanë interpretuar në skenë e teatrit antik të Butrintit janë rreth 1800, ndërsa sipas Bualotit, numri i spektatorëve shkon në dhjetëra mijë.
Kjo është datëlindja e dytë jubilare që festivali feston me një film dokumentar. Ashtu si pesë vite më parë, kur festohej datëlindja e pestë, mbi tekstin po të Stefan Çapalikut, ishte ndërtuar një dokumentar. Një trekëndësh i thjeshtë, - intervista me organizatorët, pjesëmarrësit dhe pamjet filmike të trupave pjesëmarrëse - tregonte se çfarë ka ndodhur në këto vite në Butrint.
Mbrëmja u mbyll me një interpretim të mrekullueshëm të "Quintetit Imperial", të ardhur nga ishulli i Korfuzit, i cili drejtohej nga kompozitori Vladimir Kotani. Të pesë instrumentistët, të veshur të gjithë me ngjyrë të bardhë, interpretuan në mënyrë të ngrohtë mesdhetare kryevepra të muzikës botërore.
Ndërkohë që dokumentari kishte përmbledhur esencën e festivalit në dhjetë fjalë energji, komunikim, kërkim, lëvizje, eksperiment, përballje, provokim, debat, meditim, dashuri. A do t'i ketë këto "virtyte" festivali i këtij viti. Të shohim...
Nesër
Shfaqja "Electra Perpetrator"
Autori: Euripidi
Regjia: Sofia Spyratou
Teatri: "Politistiko Somateio Roes", Athinë, Greqi,
Aktoret: Evangelina Chattzaki, Danilo Zeka, Alexander Qejvanaj, Apostolia, Tsolaki, Tauland Fera, Xenia Themeli, Ioanna Kanellopoulou, Eleni Koutkouli, Elena-Lida Maniatakou, Alexia Beziki, Ioulia Pyrrou, Pinelopi Sergounioti
Ndriçimi: Chloi Manztari