E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, arkivohen 1200 ankesa

07/12/2009  Fier, rreth 70% e ankesave lidhet me vonesat në vendosjen e vulave në certifikatë

FIER- Rritet numri i ankesave dhe kërkesave në Drejtorinë e Verifikimit të Titujve të Pronësisë në prefekturën Fier për tokën bujqësore. Sipas drejtuesit të kësaj drejtorie, Arben Duka, numri i ankesave të paraqitura nga fermerët e qarkut Fier për këtë periudhë për zgjidhjen e çështjes së tokës bujqësore shkon në 1204 dosje.

Ankesat

Në prefekturën e Fierit, në komisionin e ngritur enkas për verifikimin e titujve të pronësisë janë arkivuar 1204 dosje me ankime. Poseduesit e tokës kanë çuar për verifikim të gjitha problemet që kanë mbi pronësinë, duke i vënë punonjësit e këtij komisioni para një pune mjaft intensive. Sipas Arben Dukës, ankesat janë të natyrave të ndryshme por rreth 70% e këtij numri kanë të bëjnë apo kërkojnë zgjidhje për mungesën e vulave në aktin e marrjes së tokës në pronësi, e cila nuk është vendosur nga komisionet e tokës në njësitë vendore. Ndërkohë nga kjo drejtori janë mundur të zgjidhë vetëm 136 dosje dhe kjo për vet faktin se kërkohet kohë dhe një vendim i drejtë. Sipas Dukës ka shumë ankesa nga ana e fermerëve fierak për shkak të zvarritjes së procedurave ose kthimit të tyre për shkak të saktësisë së këtyre dokumenteve. Verifikimi i titujve të pronësisë parashikon një periudhë funksionimi prej një kohe të gjatë dhe ka ankesa edhe për mbivendosje pronash dhe pasaktësi të zbatimit të ligjit 7501.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›