Ndërkombëtarët: Shqipëria të mos humbasë kohë, të plotësojë kriteret për vizat
Eljona Ballhysa
Ndërkombëtarët vazhdojnë të theksojnë domosdoshmërinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në Udhëzuesin për liberalizimin e vizave, nga ana e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojë sa më parë nga ky proces. Kjo është theksuar nga eurodeputetja Tanja Fajon dhe ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me temë “Regjimi pa viza në Shqipëri, hapat e fundit”, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ndërkombëtarët në fjalën e tyre theksuan si domosdoshmëri dialogun mes opozitës dhe maxhorancës përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe hapave të mëtejshëm integrues të Shqipërisë drejt BE-së. Ndërsa ministri Meta, gjatë fjalës së tij, i drejtoi dhe njëherë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të japë kontributin e saj për procesin e integrimit të vendit në BE.
Ndërkombëtarët
"Shqipëria mund të përfitojë realisht nga liberalizimi i regjimit të vizave në korrik të vitit 2010, nëse ecën në rrugën e duhur. Dua të them se vetëm kur një vend plotëson kriteret, dhe nëse kjo ndodh me Shqipërinë në fillim të vitit tjetër, vetëm atëherë ju mund të prisni që të përfitoni nga lëvizja pa viza. Autoritetet dhe qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se ky është një proces ku bashkëpunimi mes qeverisë, Parlamentit, opozitës dhe shoqërisë është shumë i rëndësishëm”, - u shpreh gjatë fjalës së saj eurodeputetja Tanja Fajon. Ajo shprehu shqetësimin e Parlamentit Europian për mungesën e opozitës në Kuvend. “Shqipëria nuk është më e izoluar. Ne jemi të shqetësuar për mungesën e dialogut midis opozitës dhe maxhorancës në Parlament. Jemi të shqetësuar për bojkotin e opozitës”, - theksoi Fajon. Ndërsa ambasadori i KE-së, Lohan, theksoi nevojën e përmbushjes së disa kritereve kyçe për vendin, siç është bashkëpunimi mes forcave të rendit dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë dhe Gjyqësorit, përdorimit të sistemit të integruar të informacionit në mbrojtjen efektive të të dhënave personale, si dhe në implementimin i legjislacionit antidiskriminim. Lohan, nga ana tjetër, kërkoi nga qeveria shqiptare që të jetë më aktive në zbatimin e strategjive të ndryshme të miratuara prej saj. “Shqipëria ka formuluar strategji për integrimin, por autoritetet shqiptare duhet të jenë më aktive për realizimin e këtyre strategjive dhe duhet të shkojnë përtej zbatimit të strategjive. Duhet një bashkëpunim midis agjencive të zbatimit të ligjit”, - theksoi Lohan.
Ministri Meta
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në këtë takim, shpjegoi hapat në të cilët ka ecur qeveria shqiptare deri tani dhe kriteret që duhet të plotësojë deri në përfitimin e heqjes së regjimit të vizave. Meta gjithashtu bëri të ditur se qeveria shqiptare pret në muajin dhjetor një delegacion nga KE-ja që do të monitorojë situatën dhe progresin e shënuar në drejtim të plotësimin të kriterit parësor që lidhet me sigurimin e dokumenteve të identifikimit. Përsa i përket këtij kriteri Meta tha se “siguria e dokumenteve ka një progres spektakolar në numrin e pasaportave biometrike të shpërndara. Deri më 11 nëntor kemi 259 089 aplikime dhe 250 908 pasaporta të shpërndara”. Ndërsa kriteret e tjera që duhet të plotësojë Shqipëria janë: menaxhimi i mirë i kufijve; stabilitet i rendit publik; garantimi dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut. “Në dhjetor presim misionin e parë vëzhgues për bllokun 1 dhe misionet për blloqet e tjera do të pasojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Ne kemi besim se propozimi i Komisionit Europian do të jetë pro heqjes së vizave me Shqipërinë”, - është shprehur Meta. Gjatë fjalës së tij ministri i bëri thirrje opozitës të kontribuojë për këtë proces. “Qeveria është e vendosur të bashkëpunojë me opozitën për vetë rolin e pazëvendësueshëm që ajo ka në proceset e integrimit europian, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe çdo aktor tjetër të interesuar për mbylljen me sukses të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe më gjerë, në kuadër të reformave për përgatitjen e vendit për statusin kandidat”, - është shprehur Meta.
17 Nentor 2009