E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, vizitë në Nju Jork për Unionin Ndërparlamentar të OKB-së



Kryetarja e Kuvendit u nis dje për një vizitë zyrtare në Nju Jork, për të marrë pjesë në mbledhjen e Unionit Ndërparlamentar të OKB-së. Kjo konferencë do të përbëjë takimin e dytë të Komitetit Përgatitor për Konferencën e Tretë Botërore të kryetarëve të parlamenteve, që pritet të mbahet në vitin 2010. Jozefina Topalli është e para kryetare e Kuvendit nga Shqipëria që bëhet pjesë e këtij komiteti të ngushtë prej rreth 20 kryetarë parlamentesh, të përzgjedhur prej 186 anëtarëve të IPU-së. Dinamizimi i rolit të parlamenteve në sfidat botërore, prioritetet e Kombeve të Bashkuara, kriza financiare globale, forcimi i bashkëpunimit të parlamenteve mes tyre dhe Kombeve të Bashkuara, strategjitë e ardhshme politike dhe ekonomike ndërparlamentare, ndryshimet klimaterike do të jenë temat qendrore të diskutimeve të Konferencës. Në këtë konferencë, e cila konsiderohet shumë thelbësore për nga rëndësia, kryetarja e Kuvendit do të jetë bashkë me kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, me kryetarin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert dhe Marc Laffineur, nënkryetar i Parlamentit të Francës. Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të parlamenteve të Australisë, Jordanisë, Indonezisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut. Gjatë punimeve të Konferencës, kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë edhe takime të veçanta dypalëshe me kryetarët e parlamenteve, si edhe me personalitete të rëndësishëm të OKB-së.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›