E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, merren vendimet e para

16/09/2009  Prefektura Korçë shpronëson me të drejtë kompensimi 17 familje

I hapet rruga projektit për përpunimin e ujërave të bardha dhe të zeza

KORÇE- Sipas prefektit Koço Bello, Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë këtij institucioni ka mbledhur dhe sistemuar deri tani 560 ankesa gjithsej, të cilat kanë ardhur nga banorët e këtij qarku. “Deri më tani, tha Bello, mund të them se është punuar intensivisht për përgatitjen dhe përpunimin e dosjeve dhe sistemimin e tyre sipas problemeve që prezantojnë, duke kaluar kështu në një fazë të dytë, në atë të marrjes së vendimeve. E filluam me 17 vendimet e para mbi tokat e ish-Ndërmarrjes Bujqësore, sepse marrja e këtyre vendimeve ishte e domosdoshme dhe kërkohej të bëhej në kohën e duhur, ndërsa aktualisht do të vijohet me marrjen e vendimeve të tjera. Vetëm brenda muajve shtator –tetor do të arrijmë të marrim edhe 20 vendime të tjera, ndërsa deri në fund të vitit numri i vendimeve të marra do të jetë shumë më i lartë. Sigurisht që do të ketë dhe heqje të titujve të pronësisë ndaj të gjithë atyre personave që kanë përfituar tokë në kundërshtim me ligjin 7501, për ndarjen e tokës bujqësore. Deri tani kemi evidentuar 50 dosje që kanë të bëjnë me mbivendosje pronash. Që të gjitha këto do të shqyrtohen nga komisioni përkatës dhe do të merren vendimet e duhura. Gjithçka do të realizohet në respekt korrekt me ligjin”. Gjithsesi, 17 vendimet e para i hapën rrugën një projekti tepër të rëndësishëm për qytetin e Korçës dhe mjaft të vlerësuar nga vetë qytetarët, ai i zbatimit të projektit për përpunimin e ujërave të bardha dhe të zeza të qytetit. Ky investim i filluar prej kohësh nuk do të mundte të vijonte më tej, pasi një parcelë e ish- Ndërmarrjes Bujqësore, ku do të gjente zbatimin e mëtejshëm projekti në fjalë, kishte kaluar në pronësi të 17 familjeve, çka bënte të pamundur vazhdimin e punimeve, pasi firma fituese nuk mund të operonte në një sipërfaqe, ku ende nuk ishte marrë një vendim për shpronësim. Tashmë ky ngërç është kapërcyer. Por ndërsa 17 familjeve, për këtë sipërfaqe toke do t’u hiqet titulli i pronësisë, në të njëjtën kohë këto 17 familje do të kompensohen nga shteti sipas të gjitha ligjeve në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›