E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër "K.O.", Argjentina në krizë

Humbja 1:0 me Paraguain (gol i Nelson Valdez në të 27-ën) komplikon situatën e Argjentinës së Diego Armando Maradonës, e cila rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Botërorin 2010. Me këtë rezultat, "selesion" është kaluar edhe nga Ekuadori (që fitoi 3:1 me Bolivinë) dhe tashmë ka zbritur në vendin e pestë në grupin e Amerikës Jugore. Nëse eliminatoret do të përfundonin sot, argjentinasit do të ishin detyruar të zhvillonin ndeshjen "play-off" kundër ekipit që renditet i katërti në zonën CONCACAF (grupi i Amerikës Qendrore dhe të Veriut). Por, mbeten edhe dy ndeshje për t‘u luajtur (në shtëpi me Perunë dhe e fundit në fushën e Uruguait) e të besuarve të Maradonës nuk u lejohet më të gabojnë.

Dështimi me Paraguain, humbja e dytë radhazi pas asaj 3:1 të pësuar në Rosario me rivalët historikë të Brazilit, ka bërë që e ardhmja e trajnerit të jetë në dyshim. Megjithatë, "Pibe de Oro" duket se nuk ka ndërmend që të largohet nga drejtimi i përfaqësueses. "Nuk dorëzohem, kritikat nuk më trembin. Do të vazhdoj punën time me Kombëtaren", deklaroi Maradona, i cili është vënë nën "shënjestrën" e mediave dhe ka humbur përkrahjen e tifozëve. Në sondazhet e zhvilluara, sipas 70 për qind të tifozerisë, faji për situatën aktuale që po kalon skuadra është i trajnerit. "Mund të shkruajnë çfarë të duan, madje për këtë çështje mund të bëjnë edhe një spektakël televiziv, mua nuk më intereson. Nuk kam frikë nga askush. Që prej moshës 15-vjeçare luftoj me ju gazetarët dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem tani që jam 48 vjeç. Kritikat nuk më bëjnë asnjë përshtypje, mbi të gjitha nëse vijnë nga njerëz të paaftë… Do të qëndroj në krye të skuadrës, nuk më duket e përshtatshme ta dramatizojmë situatën. Nëse do të na duhet të luajmë në ‘play-off‘, do të luajmë. Edhe në 1994-ën Argjentina luajti me Australinë dhe u kualifikua pa probleme në Botërorin e SHBA-së", shtoi trajneri. Humbjet kanë prishur marrëdhëniet e trajnerit me disa lojtarë: tensioni në dhomat e zhveshjes nuk është sekret. "Do ta zgjidhim këtë situatë brenda skuadrës. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të ndodheshim në këtë situatë, por ky është realiteti. Në dy ndeshjet e mbetura kemi ende shanse të kualifikohemi. Do të zhvillojmë biseda me lojtarët për të kuptuar se çfarë nuk funksionon", përfundoi trajneri i Argjentinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›