Tjetër dorëheqje në FSK, largohet majori Shatrolli
Prishtinë - Forcat e Sigurisë së Kosovës,kanë pësuar një tjetër sprovë me drejtuesit e saj. Një tjetër anëtar i FSK-së ka dhënë dorëheqjen. Ai është Major, doktor, Sami Shatrolli, i cili përmes një deklarate për shtyp ka deklaruar se jep dorëheqjen nga posti si i zgjedhur në cilësi të majorit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Teksa ka cituar shkaqet e dorëheqjes, Shtrolli u shpreh se struktura e përzgjedhur për të komanduar me Sektorin e Mjekësisë në FSK, është mbartur në personelin, i cili gjatë angazhimit në TMK, ka shprehur dilema serioze në procesin e marrjes së vendimeve. “Nëse standardet dhe vlerat e kërkuara janë kritere për të vënë baza të forta startuese, dyshoj se do ketë hapësirë e mundësi të angazhimit të mirëfilltë në organizatën, e cila po synon të krijohet. Është eliminuar kuadri, (Naim Bardiqi ) i cili ka qenë shembull i angazhimit, i aftësive organizative e vlerave humane. Ish zëvendës-komandanti i Njësisë Mjekësore ka mundur të ketë të vetmin defekt- kundërshtimin ndaj mospunës dhe parregullsive të ndryshme. I vetëdijshëm për peshën e momentit dhe rëndësinë e procesit, shpresoj se ata që e kanë bërë këtë përzgjedhje, duhet të vetëdijesohen në nivelin që e kërkon FSK-ja, e cila po quhet forcë mbrojtëse e shtetit”, thuhet në deklaratën e tij për shtyp.