E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Në veri të Kosovës ka krim ekomnomik

Mitrovicë - Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka deklaruar se në veri të vendit ekziston krimi i organizuar ekonomik. Gjatë një vizite që ka zhvilluar në Doganat e Kosovës, ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të doganave me të gjitha institucionet, me qëllim të pengimit të këtyre dukurive, si dhe për rritjen e cilësisë së punës.

Presidenti Sejdiu ka theksuar gjithashtu rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet tjera, me qëllim të rritjes së shkallës së bashkëpunimit.

Gjatë një konference shtypi pas takimit, Presidenti Sejdiu ka folur edhe për zhvillimet politike në vend.“Kosova është e gatshme të bisedojë me përfaqësues edhe të vendeve të tjera, gjithmonë si shtet sovran. Në asnjë situatë, në asnjë vend, në asnjë hapësirë dhe në asnjë temë, nuk mund të bisedohet për çështjet që kanë për qëllim hapjen e çështjeve statusore, çështje që duan të hyjnë në punët e brendshme të Kosovës, në sovranitetin, integritetin dhe funksionimin e institucioneve të saj. Prandaj, ne kemi thënë se në aso temash do të bisedojmë, në tema të kësaj ambicie – asnjëherë jo”, ka theksuar Presidenti Sejdiu, i pyetur rreth deklarimeve për bisedime të mundshme me Serbinë.

“Po të pyetet Serbia, ne nuk do të jemi fare. E di se do të ketë probleme me ta ende. Qasja jonë themelore është që të punojmë vërtetë për të sinjalizuar ofertën tonë për fqinjësi të mirë dhe raporte të mira të bashkëpunimit edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik, sikur edhe me vendet e tjera dhe në këtë kuadër është përgjegjësi edhe e mekanizmave ndërkombëtare që të bëjnë trysni në Republikën e Serbisë që të hiqet nga kjo qasje irracionale. Ne do të shohim, qeveria do të ndërmarrë veprimet e veta të nevojshme, natyrisht ë konsultë dhe në bashkëpunim edhe me mekanizmat ndërkombëtarë që kemi këtu, por edhe mekanizmat e tjerë ku Kosova është e asociouar”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›