E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendja në Mitrovicë, ambasadorja franceze takon Rexhepin

mitrovicë - Ambasadorja e Francës në Kosovë Delphine Borione ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi. Temë bisede gjatë këtij takimi, ishte gjendja e sigurisë dhe vendosja e EULEX-it në veri të vendit. Rexhepi deklaroi se strukturat komunale mbështesin punën e EULEX-it dhe janë të gatshme për bashkëpunim të ngushtë, në mënyrë që edhe në veri të vendoset rendi dhe ligji. Ambasadorja Borione shfaqi kënaqësinë për vendosjen e pjesëtarëve të misionit evropian për rend dhe ligj pa problem edhe në veri, ku gjatë muajve të fundit ka pasur situata të tensionuara. Ajo çmoi gjithashtu përkushtimin e strukturave vendore për bashkëpunim me pjesëtarët e EULEX-it, gjë që krijon rrethana të mira për suksesin e këtij misioni.

Kryetari Rexhepi e njoftoi ambasadoren Borione se gjendja e sigurisë në përgjithësi është e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës gjatë ditëve të fundit, ku persona të strukturave paralele kanë dëmtuar veturat zyrtare dhe ato me targa “KS”. Ai tha se në veri, në lagjet me popullatë të përzier duhet të shtohen masat e sigurisë në mënyrë që të parandalohen incidentet dhe tensionimi i situatës.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Rexhepi sot ka pritur në takim edhe të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejkun, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë dhe aktualitetin politik në këtë pjesë të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›