E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, të pandehurit nisin të rrëfehen



Laureta Rryçi
Të pandehurit që akuzohen si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës kanë nisur të rrëfehen. Pas dëshmitarëve të thirrur nga akuza, të pandehurit kanë preferuar të japin vetë deklarimeve para Gjykatës duke treguar kështu versionin e tyre për ngjarjen. Por, përveç se kaq këto dëshmi priten me shumë interes nga palët në proces, për shkak se të pandehurit jo vetëm do të sqarojnë pozicionin e tyre në këtë proces por edhe të akuzuarve të tjerë. Në seancën e djeshme mësohet se dhanë deklarimet Alqi Paguni me profesion taksist dhe Eduart Çipa. Asnjëri prej tyre nuk pranoi që kishte gisht në ngjarje, por që kanë qenë prezent ditën kur makina në të cilën ndodhej polici Gjergji Mehmeti u dogj nga bandat e aso kohe. Të pandehurit e këtij procesi janë Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezi dhe Ristan Lapa. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, më 4 mars 1997, disa efektivë të policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, kanë rënë në një pritë të armatosur në vendin e quajtur Qafë-Gjashta. Ata po ktheheshin drejt Vlorës, pasi nuk kishin mundur të rivinin në funksion Komisariatin e Policisë së Sarandë
Deklarimi i Alqi Pagunit
“Në 97-n kam punuar si taksist. Ditën e ngjarjes kam shkuar në ish-repartin ushtarak dhe kam marrë dy armë tip automatik. Aty kam parë edhe 2 vëllezërit Sinani që po merrnin armë. Në mesditë kam shkuar në një karburant, pasi doja të furnizoja makinën. Aty kam parë një grup personazh të armatosur me maska. Kam njohur vëllezërit Sinani, disa djem nga Çuka, Aleko Balenë. Në këto momente erdhi “benci” i Armandos dhe tha se Fatosi dhe Bubeqi spo vinin dy makinat. Ne zumë pozicionet. Personat që ishin te karburanti nisën të qëllonin. Unë kërkova të më jepnin dhe mua një armë, pasi timen e kisha në makinë, por nuk ma dhanë. Nga frika se mos vritesha u hodha nga muri i karburantit dhe u largova. Pas një ore u ktheva të marr makinën dhe pashë po këtë grup personash dhe një makinë që digjej. Mora vesh se në makinë qe një person. Nga ana tjetër pashë një person të veshur civil që i ishte drejtuar një armë në kokë dhe mbahej peng. Më pas u afrova te makina ime dhe arma nuk gjendej brenda. Për sa i përket personit që ndodhej në makinë nuk kam dijeni se kush ishte. Ndërkohë që persona tjetër u mbajt peng 5-6 ditë në Sarandë, nga Komiteti i Shpëtimit, por nuk e di se kush ishte.”
Deklarimet e Eduart Çipës
“Kam punuar në ndërtim, shtroja pllaka në qytetin e Durrësit. Ditën e ngjarjes kam qenë në shtëpi dhe dola me shokët për të pirë kafe, mora vesh se kish ndodhur një vrasje në Qafë-Gjashtë. Mora një makinë dhe u nisa në drejtim të Qafë-Gjashtës dhe pashë një person që po digjej. Rreth kësaj makine ishin Edmond Sejko, vëllezërit Sinani, Arben Këndezi, Aleko Bala dhe persona të tjerë. U largova dhe s’kam lidhje me vrasjen e Gjergji Mehmetit”.

Gjykata rrëzon akuzat e ILDKP-së për Detar Hysin
Ish-anëtari i KKRT-së merr pafajësinë

Gjykata e Tiranës rrëzoi dje akuzat e ngritura nga Inspektorati i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ndaj ish-anëtarit të KKRT-së, Detar Hysit. Pas disa seancash gjyqësore, gjyqtari i çështjes, ka vendosur të rrëzojë këto akuza duke i cilësuar si emocionale dhe të pabaza nga ana e ILDKP-së. Mësohet se prokurori i çështjes, Genti Osmani ka paraqitur në Gjykatë të njëjtat prova që i kishte sërvirur Inspektorati i Pasurisë. Gjithçka ka nisur prej më shumë se një viti. Hysi që aso kohe ishte anëtarë i KKRT-së u akuzua nga Inspektorati se kishte fshehur pasurinë. Pas njoftimit për media, u dërgua për kallëzim penal duke i lënë rrugë të lirë Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Prokuroria përgatiti dosjen penale dhe e dërgoi pas disa muajsh në Gjykatën e Tiranës për gjykim. Ndërkohë që dje Hysi ka marrë pafajësinë duke rrëzuar kështu akuzat e ngritura ndaj tij. Hysi aktualisht është avokat dhe merret me një sërë çështjesh të bujshme në drejtësinë shqiptare.

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›