Financat: Punonjësit mund ta zgjedhin vet bankën ku duan të marrin pagën
Ervin KOÇI
Punonjësit e institucioneve publike mund ta marrin pagën mujore në cilën bankë që dëshirojnë. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, ata janë të lirë të zgjedhin bankën ku duan të marrin pagën e tyre, ose janë klientë dhe nuk ka asnjë vendim qeverie që e ndalon këtë. Drejtorja Juridike në Ministrinë e Financave, Linda Rusmajli, e ka shpjeguar qartë këtë të drejtë të punonjësve të administratës, për të cilën qeveria nuk ka marrë asnjë vendime për t’ua ndryshuar. Sipas saj, kjo gjë duhet sqaruar saktë pasi ka pasur një keqkuptim nga mediat pas vendimit të fundit të qeverisë. Rusmajli ka saktësuar se, “nuk ka ndryshuar vendimi për të zgjedhur vet punonjësi bankën ku do të marrë pagën, por ai i dyti që u miratua në muajin qershor ka të bëjë vetëm me llogaritë bankare të institucioneve. Pra, vetëm llogaria bankare e fondit të pagave të institucionit shtetëror e ka të përcaktuar bankën se ku do të depozitohet. Ndërkohë punonjësi mund t’i kërkojë drejtuesve ose shefit të llogarisë që pagën e tij t’ia hedhin në atë bankë që ai ka të hapur një llogari rrjedhëse”. Sipas saj, vendimi më i fundit është plotësues i vendimit të parë për pagat e punonjësve, sepse një nga kriteret mbi të cilat institucionet do të përzgjedhin bankën ku do të mbajnë llogaritë e tyre, është edhe kostoja për transferimin e pagave dhe të fondeve të tjera në llogaritë e punonjësve. “Interpretimi i gabuar nga disa media i vendimit të dytë të Këshillit të Ministrave, për llogaritë e institucioneve, krijoi konfuzion te punonjësit e administratës. Por në fakt vendimi që i’u mundëson ta zgjidhni vetë bankën, nuk ka ndryshuar dhe nëse jeni punonjës i administratës publike, bankën mund ta zgjidhni vetë, pa u kushtëzuar nga interesat e titullarëve të institucioneve”,- ka sqaruar drejtorja Rusmajli.
Ligji
Sipas relacionit të vendimit të qeverisë, ky akt ligjor ka për qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, sigurimin e integritetit dhe transparencës në procedurat e përzgjedhjes se bankës për çeljen e llogarive bankare të institucioneve qendrore e të varësisë dhe shoqërive me kapital shtetëror, si dhe uljen e kostos se shërbimeve bankare, për menaxhimin e likuiditeteve të punonjësve. “Në kuadrin e ekzekutimit të pagesave në llogaritë personale bankare të punonjësve publike ka dalë e nevojshme edhe rregullimi i procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes së bankës, në të cilat institucionet e qeverisjes qendrore e të varësisë dhe shoqëritë me kapital shtetëror mund të hapin dhe të mbajnë llogaritë e tyre bankare”,- thuhet në vendimin e qeverisë.
Përzgjedhja
Bankat private do të kryejnë shërbime të ndryshme për punonjësit e administratës si: mbajtje të llogarive bankare për vet punonjësit ose dhe për institucionin qendror dhe ata të varësisë, çeljen e llogarive bankare të institucioneve buxhetore dhe të shoqërive tregtare me kapital shtetëror, uljen e kostos së shërbimeve bankare, administrimin e likuiditeteve të punonjësve, etj. Përzgjedhja e bankës ose e degës së bankës së huaj për shërbimin e mbajtjes së llogarive realizohet nga institucioni, me konkurrim, në përputhje me këto parime të përgjithshme: a) Mosdiskriminim dhe trajtimin e barabartë të bankave ofertuese; b) Transparencë në procedurën e përzgjedhjes; c) Nxitjen e pjesëmarrjes e të konkurrencës së bankave në procedurën e përzgjedhjes. Për përzgjedhjen e bankës ose të degës së bankës së huaj, që do të kryejë shërbimin e mbajtjes së llogarive, titullari i institucionit krijon një komision i cili në përbërje të ketë një jurist prokurimesh dhe, të paktën, katër punonjës të tjerë, që nuk janë në përbërje të strukturës së shërbimeve mbështetëse të institucionit. Komisioni i ngritur për këtë qëllim, për procedurat e përzgjedhjes, sipas parimeve të përcaktuara të këtij vendimi, zbaton parimet dhe procedurat e parashikuara në dispozitat e ligjit “Për ankandin publik”.
Kriteret
Për kualifikimin e bankës ose të degës së bankës së huaj duhen të mbahen parasysh kriteret e mëposhtme: a) Komision minimal deri në vlerën 0, për transaksionin e transferimit të pagesave të pagave të individëve, si dhe të pagesave të tjera të lidhura me punën, në bankat e kërkuara nga vetë ata; b) Komision minimal deri në vlerën 0, për mirëmbajtje llogarie të pagave e të pagesave të tjera, të lidhura me punën për individët që i kanë llogaritë e pagave në të njëjtën bankë me atë të llogarisë së vetë institucionit; c) Kosto minimale për transaksion; ç) Interes maksimal për llogari depozite pa afat; d) Shpejtësi në kryerjen e depozitimit të të ardhurave të lidhura me punën, të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike; dh) Shpejtësi dhe cilësi në kryerjen e transaksioneve nga llogaritë e punonjësve publikë; e) Komision minimal për blerje të titujve shtetërorë;
ë) Cilësi shërbimi për sa i përket transparencës me subjektet, të cilat përdorin sportelet e bankës së përzgjedhur nga institucioni; f) Shpejtësi në dhënien e informacionit për mbajtësin e llogarisë, sa herë që kjo të kërkohet nga ky i fundit; g) Të tjera që mund të shtohen nga institucioni.
“Dun & Bradstreet”: Shqipëria do të preket nga kriza ekonomike greke
Kriza aktuale greke ka mundësi që të shtrijë ndikimet e saj edhe në ekonominë shqiptare, fakt ky që komunikohet në raportin e fundit të “Dun & Bradstreet”. Sipas tij, edhe pse ekonomia shqiptare ishte e prekur nga kriza globale, performanca e saj relativisht elastike në vitin 2009, tregoi se ishte një ndër ekonomitë e rralla e cila iu shmang rënies, duke ia atribuuar këtë pjesërisht stimulimeve të shpejta fiskale dhe monetare të ndërmarra kundër krizës. “Në vitin 2010, rimëkëmbja modeste ekonomike globale do të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë, por kushtet e përgjithshme do të mbetet shumë sfiduese”,- citon dokumenti i raportuar më lart. Por këtij fakti optimist për ecurinë mjaft pozitive të ekonomisë shqiptare edhe nën efektet e një krize të rëndë globale, i shtohet ai i të qenit për fat të keq si një nga ekonomitë më të ekspozuara ndaj krizës aktuale financiare në Greqi. “Një pjesë e rëndësishme e komunitetit të shqiptarëve punon në Greqi (rreth 650-800 mijë), dhe reduktimet në punësime dhe në paga me siguri që do të kenë një ndikim negativ në paratë e dërguara në Shqipëri nga ky vend”,- citon raporti. Duke shtuar se kjo gjë do të rrisë rënien tashmë të pafavorshme për konsumin privat, pritet rritje e papunësisë së brendshme dhe shtrëngim i kushteve të kreditimit. “Kriza financiare greke do të ndikojë negativisht, po ashtu edhe në tregtinë mes Shqipërisë dhe Greqisë”,- shton raporti. Raporti i “Dun & Bradstreet” i komunikuar nga “Bonitetna hiša I, d.o.o” në Slloveni, tregon se problemet në Greqi mund të kenë një ndikim negativ edhe në financimin e qeverisë. Duke mos harruar të citojë as krizën politike në vend, në raport thuhet ndër të tjera edhe se, “klima politike në Shqipëri mbetet shumë e dobët për shkak të mosmarrëveshjes së zgjatur rreth zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-së, duke parandaluar kështu kalimin e legjislacioneve të rëndësishme dhe përparimin e parashikuar drejt integrimit në BE”.
Shtohen aksionerët për tubacionin Trans-Adriatik të gazit përmes Shqipërisë
Tubacioni 520 km i gjatë i cili do të sigurojë transportin e gazit nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe përtej detit Adriatik, në jug të rajonit të Pulias në Itali, për të vijuar më tej në Evropën Perëndimore, duket se do të nisë së shpejti rrugën e ndërtimit të tij. Lajmi konfirmohet nga projektuesit e tij, të cilët kanë njoftuar edhe bashkimin me të, të dy kompanive të tjera, “EGL” dhe “Statoil”, për ndërtimin e tubacionit të Trans-Adriatikut (TAP). Projekti synon në rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe diversifikimin e furnizimeve të gazit për tregun evropian, duke hapur një të ashtuquajtur korridor jugor i gazit në Europë dhe dalje të tregut për gazin natyror nga deti Kaspik dhe rajoni i Lindjes së Mesme. Projekti është i dizenjuar për të zgjeruar kapacitetin e transportit 10-20 bcm në vit varësi të xhiros. Gjithashtu, projekti TAP parashikon edhe zhvillimin e strukturave të ruajtjes së gazit natyror në Shqipëri të mëtejshme për të garantuar sigurinë e furnizimit me furnizimet me gaz gjatë ndërprerjeve operacionale. Drejtori menaxhues i “TAP”-it, Kjetil Tungland, komentoi se kemi shënuar një rekord të fortë në rrugën e zhvillimit të suksesshëm të projekteve të gazit dhe projekti i ri, do të vazhdojë të ecë përgjatë saj.
Rishikimi i buxhetit, biznesi apel qeverisë të mos ulë investimet publike
Në prag të shkurtimit që do t’i bëjë qeveria buxhetit të shtetit, për shkak të mungesës së të ardhurave, biznesi kërkon që të mos preken fondet për investimet publike. Kjo situatë do të ndikonte negativisht, jo vetëm në gjendjen e tyre financiare, por në gjithë ekonominë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, i kërkon ministrisë së Financave që të paktën fondi i investimeve të mos ulet, pasi shumë prej kompanive të ndërtimit janë në krizë financiare. Ndaj, shkurtimi i këtij fondi do të vinte në vështirësi edhe më të madhe situatën e tyre. Kjo kërkesë e biznesit vjen në një moment kur gjendja e likuiditetit të kompanive është problematike, si pasojë e efekteve që la kriza ekonomike globale. Por, kërkesa e biznesit vijon më tej, ata duan që bashkë me rishikimin e buxhetit të hartohet edhe një paketë financiare, për t’i ardhur në ndihmë bizneseve në rrezik falimentimi. Shkurtimi i shpenzimeve kapitale duket një masë e nevojshme dhe e pashmangshme. Qeveria parashikon të ulë me 40 miliard lekë buxhetin e shtetit. Nga kjo shumë preken edhe investimet publike.
8 Korrik 2010