E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e administratës, qeveria bën vetëm indeksim jo rritje



Ervin KOÇI

Pagat e administratës nuk janë rritur siç u premtua më 1 korrik. Këshilli i Ministrave as nuk e ka përmendur rritjen e pagave të buxhetorëve në mbledhjen e fundit të tij, ndryshe nga sa u premtua nga kryeministri Berisha. Ky i fundit premtoi se rritja e pagave të administratës do të ishte e konsiderueshme dhe se ajo do të bëhej bashkë me atë të pensioneve më 1 korrik 2010. Por në një kohë që pensionet nuk u rritën aspak aq sa ishin premtuar (14-15 për qind), por vetëm 4-8 për qind, me pagat e administratës qeveria nuk ndërmori asnjë veprim rritës. Në të gjitha dikasteret qendrore por edhe në sektorin publik, punonjësit janë shprehur se akoma nuk kanë marrë paga me shtesa dhe madje për një gjë të tillë as që bëhet fjalë. Ndërkohë burime të Ministrisë të Financave thonë për gazetën “Albania” se pagat e punonjësve të administratës nuk do të kenë rritje në korrik por vetëm një indeksim të vogël sipas shkallës së inflacionit. “Qeveria nuk ka parashikuar që të bëjë rritje të konsiderueshme pagash për punonjësit e shtetit, por vetëm një indeksim të tyre nga 2-3 për qind në bazë edhe të lëvizjes së inflacionit për muajin maj-qershor”,- ka deklaruar burimet nga MF-ja. Sipas tyre, kredinë më të fundit që qeveria mori nga tregu i brendshëm bankar e tërhoqi vetëm për të bërë rritjen e pensioneve në fshat dhe qytet, në një kohë që pagat nuk dihen nëse do të rriten apo jo. Ky veprim duket që ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te sektori buxhetor i cili priste me padurim këtë rritje të re. Nga ana tjetër qeveria menjëherë me një vendim të sajin, vendosi edhe rritjen e masës së kontributit për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që duhet të paguaj çdo shtetas.

Fondi i pagave
Fondi i parashikuar për rritjen e pagave të administratës që do të merret nga buxheti i shtetit, do të jetë rreth gjashtë miliardë lekë. Në bazë të përcaktimeve në buxhet mbi pagat dhe pensionet, u parashikua fillimisht një rritje nga 4-15 për qind, në varësi të nivelit të tyre. Kështu, u parashikua që fondi prej 6 miliardë lekësh do të shërbente për një rritje të pagave nga 4-10 për qind, ku më të privilegjuarat do të ishin ato më të ulëtat të cilat pritej të merrnin rritjen maksimale. Për sa i përket pensioneve, rritja e tyre parashikohej të varionte nga 10 deri në 15 për qind ku përsëri më shuma do të rritej për pensionet më të ulëta.

Shpenzimet
Shpenzimet totale në buxhetin e këtij viti arritën në nivelin e 410 miliardë lekëve, ndërsa të ardhurat e grumbulluara ishin rreth 361 miliardë. Sërish deficiti pritet që të jetë i ndjeshëm, me rreth 50 miliardë lekë. Gjatë vitit 2010, sipas ministrit Bode, Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike deri në 6.5 për qind dhe një inflacion brenda normave të përcaktuara, rreth 3 për qind, kurse niveli i papunësisë parashikohet të ulet me 0.3 për qind. "Rritja ekonomike programohet në 6.5 për qind e cila do të karakterizohet nga filozofia e rritjes nëpërmjet nxitjes së ofertave dhe politikave makroekonomike mirë ta planifikuara", - tha ai. Gjatë fjalës së tij Bode parashtroi edhe njëherë parashikimet për të ardhurat në buxhetin e shtetit. Sipas tij, pritet një rritje e mëtejshme e tyre megjithëse nuk janë kryer ndryshime në sistemin e taksave. "Ndryshimet në barrën fiskale të programuara për vitin 2010 synojnë konsolidimin e sistemit pa bërë një rritje të sistemit të taksave duke ruajtur avantazhet që ka vendi në krahasim me shtetet e rajonit në këtë sektor”,- ka deklaruar ministri Bode.

Berat, tregjet dhe dyqanet të mbushura me ushqime të skaduara

Produkte të skaduara, pa kurrfarë vlere ushqimore, ose prodhime të cilave për pak kohë u mbaron skadenca, janë blerë nga qytetarë në dyqanet apo pikat e tregtimit në lagjet periferike të Beratit. Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Higjienës e këtij qyteti. Kontrollet kanë kapur në shkelje marketet larg zemrës së qytetit, megjithatë ende kontrollet nuk kanë referuar se produkte të tilla shiten edhe në qendër apo vende të tjera. Sipas inspektorëve të higjienës, në lagjet ku janë kontrolluar pikat e tregtimit të ushqimeve, janë kapur në shkelje disa tregtarë, të cilët shisnin mallra të skaduara, apo shumë pranë afatit të skadencës. Subjektet janë gjobitur, ndërkohë që Drejtoria e Higjienës bën apel për qytetarët që të kontrollojnë produktet që blejnë si dhe t’i ruajnë e konsumojnë ato sipas standardeve të kërkuara që zakonisht shkruhen në etiketat e tyre.
Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka shtuar kontrollet intensive të specialistëve të bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, për sigurinë e produkteve ushqimore. Burime pranë Drejtorisë së Bujqësisë në qytetin e Beratit bëjnë të ditur se ditët e fundit specialistët e sektorit të mbrojtjes së konsumatorit, së bashku me specialistë të higjienës, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në pikat e tregtimit të shumicës, lokale, si dhe dyqane ushqimore. Specialistët kanë kontrolluar kryesisht për datat e skadencave për pijet freskuese, si dhe ushqimet e “shportës” së përditshme. Specialistët menjëherë kanë marrë masa për bllokimin e produkteve të skaduara, si dhe i kanë gjobitur pronarët e tyre me gjoba që varionin nga 5 deri në 10 mijë lekë.

Evropa vendos për bonuset e bankave

Parlamenti Europian pritet të miratojë kufizimet e reja lidhur me mënyrën se si u jepen shpërblimet bankierëve. Vetëm një pjesë e bonuseve do të paguhen paradhënie, ndërsa të paktën gjysma e shpërblimit do të varet nga ecuria e bankës në të ardhmen. Megjithatë nuk do të vihet një limit, sa i takon vlerës maksimale të shpërblimit. Pas shpëtimit të bankave në mbarë Evropën, deputetët e parlamentit evropianë vunë në shënjestër shpërblimet e majme që u jepeshin zyrtarëve më të suksesshëm të bankave. Disa fajësuan kulturën e bonuseve se inkurajonte ndërmarrjen e risqeve si shkaktare të krizës financiare. Për drejtorët e bankave të shpëtuara nga shteti nuk do të ketë bonuse, ndërsa për pjesën tjetër vetëm 30 për qind e shpërblimit paguhet paradhënie me para në dorë. Nga pjesa e mbetur e shpërblimit 40 për qind do të jepet pas 3-5 vjetësh mbështetur në fitimet që do të sigurojë banka. Pjesa tjetër do të jepet në formën e një kapitali kontingjent, me fjalë të tjera në formën e një huaje nga banka, e cila mund të kthehet në aksione nëse banka përballet me probleme. Pra shpërblimet e dhëna nga bankat do të bëhen kështu më të ndërlidhura me formën e dhe performancën e bankës.

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›