E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Arsenali” bllokon lëndë eksplozive dhe armë, prangoset 40-vjeçari



LEZHË – Një sasi municionesh dhe disa armë janë sekuestruar në orët e vona të mbrëmjes nga policia. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Qarkut Lezhë bënë të ditur se në kuadër të operacionit “Arsenali” është arrestuar shtetasi Arben Simoni, lindur dhe banues në Lezhë. Sipas tyre, 40-vjeçari Simoni njihet një person me precedent të mëparshëm penal. Agjentët e policisë kishin marrë informacione në rrugë operative dhe në orën 20.00 të ditës së mërkurë ata kanë bërë një kontroll të papritur në banesën e Arben Simonit, në lagjen “Sheher”, në qytetin e Lezhës ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarak. Në përfundim të operacionit policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automatik, 1 mitraloz, 1 pushkë, 68 copë granata, 86 kallëpe tritoli dhe mjete të tjera që përdoren për realizimin e shpërthimit të lëndëve eksplozive. E gjithë sasia e municioneve ndodhej në disa qese plastike, në të cilat ishin të stampuar logo të Partisë Socialiste. Në ndryshim nga rastet e tjera, ky fakt ka ngjallur interes për ministrinë e Brendshme, e cila ka dërguar njoftimet në media të municioneve me qeset ku ishte logoja e socialistëve. Një praktikë e tillë e dhënies së informacioneve bëhet nga Policia e Shtetit, por në rastin konkret, ambalazhi majtist ka nxitur zyrën e Shtypit të Ministrisë së Brendshme që të shpërndajë vetë informacionin për operacionin “Arsenali”. Gjithsesi, burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Lezhë nuk bëjnë asnjë lidhje në njoftimin për mediat mes të arrestuarit dhe Partisë Socialiste në opozitë.

ARSENALI I SEKUESTRUAR

1 automatik model 56
1 mitraloz i rende
1 pushke 20-she
68 cope granata, ofensive dhe difensive
86 kallëpe tritol me peshe 35 kg.
200 m linear fitil zjarrpërcjellës
3 krehra fishekë model 56, te mbushur
1 shirit me 100 copë fishekë
1 arke me 1250 cope fishekë

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›