E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tkurret buxheti për kompensimin e ish-pronarëve

09/11/2011  Ministria e Drejtësisë do të përfitojë rreth 5.8 miliardë lekë për vitin 2012

Nga 5 milionë dollarë që ishte vitin e kaluar, buxheti sivjet është 4.2 milionë dollarë

Rreth 4.1 milionë dollarë ka vendosur qeveria të japë si kompensim për ish-pronarët në vitin 2012. Të dhënat janë marrë nga projektbuxheti i qeverisë, i cili pritet të shkojë së shpejti për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Shuma për ish-pronarët në krahasim me vitin 2010 dhe 2009 ka një ulje prej gati 900 mijë dollarësh, por me sa duket kjo vjen dhe për shkak të krizës ekonomike që ka dhënë pasojat e saj dhe në Shqipëri. Ministria e Drejtësisë do të përfitojë rreth 5.79 miliardë lekë për vitin 2012.

Kompensimi

Në relacioni përmbledhës të projektbuxhetit nuk shpjegohet ulja e shumës së kompensimit për ish-pronarët, por sqarohen objektivat se çfarë do të bëhet për kërkesat që janë depozituar në AKKP. Kështu sqarohet se për vitin 2012 premtohet rritja e volumit të punës për 250 dosje të mbartura nga ish-zyra qendrore e AKKP, dhe dhënia e përgjigjeve për to. Sipas relacionit, shtyrja e përfundimit të njohjes kthimit dhe kompensimit të pronave ka bërë që volumi i punës të rritet dhe me 700 dosje të tjera, të cilat do të jenë objekt i punës së AKKP-së për vitin 2012. “Shqyrtimin e 250 kërkesave e kanë paraqitur subjektet për tjetërsimin e oborreve në përdorim dhe sipërfaqeve të tokës me cilësi të veçanta, dhënia e vendimeve përkatëse brenda afateve kohore”, thuhet në relacionin që i bashkëngjitet buxhetit. Nga ana tjetër, përmbushja e standardeve të cilësisë në zyrat e ZRPP-ve në qendër dhe në bazë do jenë objektiv i punës së Ministrisë së Drejtësisë, por dhe të hipotekave.

Hipotekat

Ndër objektivat e tjera në lidhje më këtë problem do të jetë regjistrimi fillestar për rreth 36 mijë pasuri në të gjithë vendin. Sipas relacionit, menaxhimi me efektivitet dhe sigurimi i shërbimeve për rreth 620 mijë aplikime që bëhen në këtë sektor. Gjithsesi ndryshimi i ligjit për hipotekat, i cili do të shoqërohet dhe me rritjen e çmimit për këtë shërbim pritet të rrisë dhe cilësinë e shërbimit, si dhe të tkurrë në maksimum ryshfetin, apo korrupsionin që kryhet në këtë sektor. Sipas ligjit të ri, tashmë të gjitha shërbimet kryhen nga noteri pritet t’ia ngarkojë këtij të fundit të gjitha përgjegjësitë për të shtrembërimet që kanë ndodhur deri më sot në këtë sektor. Nga ana tjetër dhe dixhitalizimi i këtij shërbimi pritet të tkurrë në maksimum, deformimet apo mbivendosjet që janë bërë në fushën e pronave për 20 vjet me radhë.

Të përndjekurit

Ish-të përndjekurit politikë do të përfitojnë rreth 270 milionë lekë nga buxheti i vitit 2012, ose më saktë rreth 2.7 milionë dollarë. Shuma për masën e madhe të përndjekurve duket e vogël, por burime nga qeveria shprehen se do të ketë buxhet shtesë përgjatë vitit të ardhshëm për këtë kategori personash. Në fakt në pjesën e relacionit ku bëhet fjalë për Ministrinë e Drejtësisë nuk është dhënë asnjë shpjegim në lidhje me këtë çështje, e cila është mjaft e ndjeshme për një pjesë të shoqërisë shqiptare. Shuma e mësipërme duket mjaft e vogël, po të mendosh numrin e madh të personave që presin të përfitojnë nga buxheti i shtetit. Janë rreth 25 mijë persona që kanë vuajtur nën sistemin komunist, për shkak të bindjeve të tyre politike, dhe shumë prej tyre ende nuk kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit që u takon me ligj. Nga ana tjetër, me anë të një vendimi, qeveria ka vendosur që më së pari të kompensohen personat që kanë mbushur moshën 75 vjeç. Pra, këstin total të dëmshpërblimit mund ta marrin vetëm ata persona, të cilët kanë mbushur një moshë të caktuar, ndërsa të tjerët do të dëmshpërblehen me këste, proces i cili zgjat deri në afro 8 vjet, sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti shqiptar.

Turizmi

Projektbuxheti i parashikuar për turizmin është afro 2.4 miliardë lekë ose afro 0.18 për qind e GDP. Sipas relacionit bashkangjitur të buxhetit, në vitin 2011, pati një rritje të turistëve nga 5-10 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Duke u nisur nga kjo, shuma në fjalë do të shërbejë për arritjen e një sërë objektivave siç janë rritja e cilësisë së shërbimeve turistike, rritja cilësisë së sporteve, rritja e aksesit të të rinjve në strukturat rinore e kështu me radhë. Shqipëria është cilësuar si një nga vendet kryesore për turizmin për vitin 2011, dhe me tendencë rritjeje për vitin e ardhshëm. Përmirësimi i infrastrukturës dhe publiciteti që i është bërë në shumë media të botës, kanë sjellë rezultate të kënaqshme në këtë sektor. Vetë Kryeministri e ka cilësuar si një nga motorët kryesorë të ekonomisë, përkrah energjetikës dhe infrastrukturës. Gjithsesi mbetet shumë për të bërë, sidomos në turizmin malor dhe atë arkeologjik, ku Shqipëria megjithëse ka bukuri të rralla natyrore ka ende mangësi, qoftë në shërbim qoftë në promovimin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›