Tkurret ekonomia e Eurozonës

Statistikat zyrtare tregojnë se ekonomia e Eurozonës është tkurrur për 0.3 për qind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011, e cila është rënia e parë e tillë në zonën 17-anëtarëshe, në më shumë se dy vjet.
Shifrat tregojnë se Holanda dhe Italia kanë hyrë zyrtarisht në recesion, ndërkohë që Franca ka treguar një rritje të papritur në prodhimin ekonomik.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka njoftuar po ashtu për një tkurrje të vogël.
Këto njoftime vijnë në kohën kur huadhënësit ndërkombëtarë nuk kanë përfunduar ende programin e ndihmës për Greqinë, e cila mund të përballet me falimentim në muajin mars.
Ministrat e Eurozonës kërkojnë më shumë shkurtime dhe garanci nga pala greke.