E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tmerr në autostradë, pesë të vdekur

AKSIDENTET/ Anëtarë të dy familjeve janë shuar pas një përplasjeje në orët e para të mëngjesit të së dielës


Shkak ka qenë fakti që drejtuesja ka ngatërruar hyrjen në autostradë, duke u futur në korsinë e kundërt

DURRËS - Një vdekje tragjike ka qenë ajo e pesë dasmorëve të cilët kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas. Të gjitha viktimat u përkasin dy familjeve, mes të cilëve nëna me dy vajzat. Ndërkaq tre persona kanë mbetur të plagosur, të tre në një moshë shumë të re e cila shkon nga 17-19 vjeç.


Burimet zyrtare të policisë pohuan se identifikimi i kufomave u bë me vonëse dhe shkak për këtë ishte shkatërrimi i trupave të tyre nga përplasja e fortë. Viktimat mësohet të jenë Haxhire Skënderi, Doloreza Skënderi, Lindita Limani (nëna me dy vajzat), si dhe çifti Eduart e Lumturie Lekdushi, të cilët kanë lënë jetimë dy fëmijë. Shkak për aksidentin deri në orët e vona është cilësuar hyrja në kahun e gabuar të autostradës nga njëri prej automjeteve, çka çoi edhe në përplasjen fatale.


Ngjarja


Ka qenë ora rreth 4:00 e mëngjesit të së dielës kur Haxhire Skënderi me dy vajzat e saj të rritura Dolorezën dhe Linditën, si dhe çifti Eduart e Lumturie Lekdushi po lëviznin me automjetin e drejtuar nga 27-vjeçarja Doloreza. Ka qenë koha kur ka përfunduar dasma ku ata kishin marrë pjesë dhe po shkonin për në shtëpi.


Por drejtuesja e automjetit duket se është ngatërruar në momentin që ka dashur të futet në autostradë dhe të marrë kahun e linjës Durrës-Tiranë. Ajo e ka futur automjetin në kahun e kundërt deri në gjysmë të tij dhe më pas siç duket ka tentuar që të kthehet mbrapsht pasi e ka kuptuar gabimin.


Por një gjë e tillë ka qenë e pamundur për të, pasi një automjet i cili vinte me shpejtësi dhe udhëtonte drejt Tiranës e ka goditur duke i thyer shasinë dhe duke e çarë në mes mjetin tip "volksvagen", çka e ka bërë të pamundur mbijetesën e pesë personave që ndodheshin në të.


Por më e tmerrshme ka qenë për punonjësit e policisë vajtja në vendngjarje ku trupat e copëtuar të njerëzve përbënin provën e një aksidenti vërtet tragjik. Dhe përveç tyre, në automjetin tjetër ndodheshin tre të rinj të plagosur.


Hetimet


Pas mbërritjes së policisë dhe këqyrjes së vendngjarjes, nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak për aksidentin e rëndë ka qenë hyrja në korsi të kundërt e mjetit në të cilin udhëtonin viktimat, por gjithashtu edhe shpejtësia shumë e madhe me të cilin lëvizte automjeti i cili ishte duke udhëtuar nga Durrësi për në Tiranë.


Ekspertët e grupit hetimor në vendngjarje u shprehën se fillimisht automjeti me targë TR 0458 S ka humbur kontrollin duke dalë në korsinë e gabuar. Brenda pak sekondave një automjet me targa të Tiranës është përfshirë në këtë ngjarje, duke u përplasur me automjetin e viktimave. Si pasojë, pesë vetë mbetën të vdekur, ndërsa tre u plagosën.


Këta të fundit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, ndërsa viktimat u përcollën për në morgun e Durrësit për t'iu nënshtruar ekspertizës. Sipas policisë, drejtuesja e automjetit, Doloreza Skënderi, ka gabuar drejtim në kryqëzimin e Maminasit teksa ka dashur të shkojë për në Tiranë, duke hyrë në korsinë tjetër, por teksa një automjet i ka ardhur përballë, ajo s'ka mundur të shmanget. Tre personat që po udhëtonin në makinën tjetër kanë marrë plagë të rënda.


Ata janë Ilir Bardhi, 18 vjeç, Nuel Papuli, 18 vjeç dhe Elda Mallkurtaj, 17 vjeçe, të gjithë nga Tirana dhe po udhëtonin në automjetin me targë TR 5184 L.


Vendngjarja


Gjithçka ndodhi në mbikalimin e Maminasit, rreth 20 km larg qytetit të Durrësit, në kufirin ndarës Durrës-Tiranë. Pamjet atje kanë qenë tepër tronditëse. Kudo që hidhje sytë në një gjatësi prej 60 metrash, shikoje zona të përgjakura dhe pjesët e shkatërruara të mjeteve të përfshira në aksident.


Duke qenë se ishte e diel dhe se që në mëngjes fillonte fluksi i mjeteve nga Tirana drejt Durrësit, pas heqjes së mjeteve u desh të vijë një zjarrfikëse për të larë gjakun e viktimave. Automjeti me të cilin po udhëtonin viktimat ishte shkatërruar plotësisht.


Çdo pjesë e tij ishte shkëputur, ndërsa kishte mbetur vetëm pjesa ballore e makinës, e cila rrinte në dy gomat e para. Po kështu, sipas punonjësve të policisë, viktimat kishin dalë nga automjeti, ndërsa gjymtyrët apo organet jetësore të tyre ishin të shpërndara gjithandej. Një prej efektivave të policisë tha se kishim parë shumë raste aksidentesh, por atje qe bërë një kasaphanë e vërtetë.

Viktimat
Haxhire Skënderi, rreth 60 vjeçe
Doloreza Skënderi, 27 vjeçe
Lindita Limani, 43 vjeçe, përkatësisht nëna dhe dy vajzat
Eduard Lekdushi, 57 vjeç
Lumturie Lekdushi 50 vjeç, të cilët kanë lënë jetimë dy fëmijë

Të plagosurit
Ilir Bardhi, 18 vjeç,
Nuel Papuli, 18 vjeç
Elda Mallkurtaj, 17 vjeçe

Procedohet penalisht në gjendje të një...................................... turk për ngjarjen
Pesë të plagosur nga përplasja e dy mjeteve
TIRANË- Pesë persona morën plagë të lehta në një incident rrugor mes dy automjetesh në bulevardin "Zhan d'Ark", ndërsa policia procedoi penalisht një turk, një prej drejtuesve të mjeteve, i cili sipas policisë ka rezultuar paraprakisht si shkaktar i incidentit. Nga përplasja e mjeteve janë plagosur pasagjerët që udhëtonin në to. Këta të fundit janë dërguar në spitalin ushtarak ku pas mjekimit të marrë nuk kanë pasur probleme serioze për jetën.


Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të së dielës, fare pranë kryqëzimit të drejtorisë së Policisë së Tiranës, kur një automjet i markës "Volksvagen", me targë TR 8478 F, është përplasur me një mjet me targa TR 3439 S. Nga përplasja e mjeteve kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve Leonard Novruzi, nga Shkodra, 28 vjeç, si dhe Xheng Yzberxhin, 33 vjeç, nga Turqia me qëndrim në kryeqytet, ndërsa plagë morën edhe pasagjerët e mjeteve.


Ndërkaq, këta të fundit, sipas burimeve të policisë, morën plagë të lehta ndërsa më rëndë paraqitej gjendja e dy drejtuesve të mjeteve. Këta të fundit sipas burimeve të policisë kishin marrë plagë të rënda në trup. Ndërkaq policia mbërriti shpejt në vendin e ngjarjes duke qenë se nuk ishin shumë larg nga vendi i aksidentit.


Nga veprimet e para të kryera nga ekspertët autoteknikë dhe ata kriminalistë të policisë është mësuar se mjeti i drejtuar nga personi me kombësi turke, Xheng Yzberzhi, ka gabuar gjatë manovrimit duke ecur me shpejtësi, çka ka shkaktuar përplasjen me mjetin e drejtuar nga Leonard Novruzi nga Shkodra.


Nga përplasja janë plagosur dy drejtuesit si dhe pasagjerët e mjeteve të cilët janë dërguar në spital për mjekim, por gjendja e tyre ishte jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, dëmet e mjeteve sipas burimeve të policisë kanë qenë të konsiderueshme, duke qenë se ato kishin marrë disa goditje.


Në fund të veprimeve policia ka proceduar turkun Yzbexhin në gjendje të lirë me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa mjetet e përfshira në aksident janë dërguar në pikën e bllokimit nga policia.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›