Zjarri rrezikon pyllin në Gjirin e Lalëzit
Shkak për flakët ka qenë rrëzimi i disa shtyllave dhe një qark i shkurtër i krijuar prej tyre
DURRËS - Kanë qenë orët e para të ditës së diel kur një zjarr që ka rënë në pyjet e bregdetit në gjirin e Lalëzit ka shqetësuar strukturat e mbrojtjes nga zjarri, pasi flakët përfshinë një sektor të madh me pyje dhe nëse zjarri do të instalohej mirë, do të ishte e vështirë që të vihej më pas nën kontroll, kjo edhe për shkak të erës që frynte me vrull dhe që mund të shpërndante flakën sa më në thellësi. Tre zjarrfikëse i janë drejtuar vendit të rënies së zjarrit në orën 10:00 të paradites, ndërsa pushuesit e mbërritur në të janë frikësuar.
Zjarrfikëset kanë hyrë menjëherë në veprim duke punuar në tre sektorë, gjë që bëri që situata të vihej nën kontroll dhe të mos lejohej shpërndarja e mëtejshme e zjarrit mes pishave të shumta të pyllit të Shën Pjetrit.
Sipas punonjësve të policisë në vendngjarje, si shkak i zjarrit ka shërbyer rrëzimi i disa shtyllave që ndodheshin në afërsi të pyllit. Nga rënia e tyre është krijuar një qark i shkurtër mes telave dhe zjarri ka rënë fillimisht në barin e tharë, i cili është shtyrë nga era në drejtim të pyllit të Shën Pjetrit.
Flaka e madhe që ka shpërthyer është bllokuar nga kanali që shkon paralel me pyllin dhe për shumë kohë kjo ka bërë që ai të luajë rolin e tamponit. Lufta me flakët ka vazhduar rreth 2 orë dhe është djegur një sipërfaqe prej 3 dynymësh, pa dëmtuar shumë pishat. Në ndihmë të zjarrfikësve ka shkuar edhe një mjet i autoritetit portual të Durrësit. M.Brunga