E Hënë, 2 Nëntor 2026

"U2" u kthyen...

Disku i ri është ndoshta më i miri që nga koha e "Achtung baby", por për miliona fansa të grupit në të gjithë botën, një cd dinjitoze nuk është e mjaftueshme. Kush dëshiron muzikë pop komerciale dhe cilësore, kërkon të dëgjojë "Coldplay"; më revolucionarët bëjnë tifo për "Radiohead"; kështu që "djemve" 50-vjeçarë të grupit "U2" nuk u ngelen veçse nostalgjikët. "No line on the Horizon" është një disk i mirë, pasi për të kishte kohë që pritej, ose më saktë pritej prej pesë vjetësh. Për këtë arsye, frika për suksesin me të cilin do të pritet është shumë e madhe. Kryevepra e fundit e kësaj bande i takon vitit 1991. Bono është tashmë një gjysmë-politikan dhe i pranishëm kudo. Vitet e bukura i përkasin të shkuarës dhe 2 këngët e viteve 2000, "All that you can‘t leave behin" dhe "How to dismantle an atomic bomb", ishin kritikuar dhe cilësuar pothuajse të tmerrshme në çdo aspekt të tyre. Një qetësi dhe heshtje kaq e gjatë i bëri edhe fanatikët e tyre të mendoheshin mirë. Pas 20 vjetësh karrierë artistike, ose më shumë, "U2" e kuptuan se ishte e domosdoshme të bëheshin pjesë e lojës, ndaj gjithë forcat i përqendruan në albumin e ri. Shokët e udhëtimit janë ata që të gjithë presim të shohim: Brian Eno, Daniel Lanois, Steve Lillywhite dhe Bono. Albumi "No line on the Horizon" doli më 27 shkurt 2009 në Evropë, më 2 mars në Britaninë e Madhe dhe më 3 mars në SHBA, ndërsa turi për promovimin e tij vazhdon. Disku është regjistruar në Dublin, Nju Jork dhe Londër, ndërsa singëlli i tij, "Get on Your Boots", doli në Irlandë më 15 shkurt 2009. Ditën kur doli albumi në Evropë, grupi "U2" performoi live sipër çatisë së BBC-së në Londër. Para tyre, vetëm "Beatles" kishin arritur të këndonin aty.

"Nga shtëpia ime në Dublin, më saktë nga studioja, ka një panoramë të mrekullueshme, ku duket sikur qielli bashkohet me tokën. Aty e ka marrë titullin albumi", tregon lideri i grupit, Bono. Legjendari i "U2", një nga më të adhuruarit në të gjithë botën edhe për aktivitetet e tij humanitare, tregon punën për të cilën fansat kishin plot 5 vjet që prisnin: "Kur më ndodh që të dëgjoj një këngë të grupit, më vjen për të qarë. Por kjo varet edhe nga fakti që gjithmonë më duket se ka një pjesë të tekstit që mund të dilte më mirë, ose se aty brenda gjendet një copëz vokale e imja që s‘më pëlqen aspak. Ndodh edhe të qaj, sepse në këngë është realizuar çdo gjë perfekte, por kjo ndodh rrallë". Më pas Bono vazhdon të rrëfejë: "Doni të dini se kush është momenti më poshtërues për ‘U2‘? Është ‘Where the streets have no name‘. Albumi doli me këtë muzikë të bukur dhe unë kisha disa ide për tekstin. Në atë periudhë flija në një çadër në veri të Etiopisë dhe të gjitha ato që më erdhën në mend vendosa t‘i hidhja në tekst. Në fakt, më vonë e mendova se nuk mund të ishin shumë të arrira, por shokët e grupit më bindën që ishin perfekte. Më kujtohet që u thashë se kisha mundësi të krijoja tekste shumë më të mira se kaq. Por, Eno është nga ata që duan të fiksojnë momentin, ndaj ato fjalë ngelën të pavdekshme. Tani më duhet t‘i këndoj për gjithë jetën time. Sikur kjo të mos mjaftonte, e interpretuar drejtpërsëdrejti është kënga që ka më shumë sukses". Në fund, Bono e lidh krizën ekonomike me turin e grupit të tij për të promovuar albumin e ri nëpër botë: "Kriza ekonomike ka ndryshuar botën, ndaj nuk mund të mos i mendojmë ato që kanë ndodhur dhe po ndodhin. Jemi të gjithë të mendimit që biletat të jenë sa më të lira të jetë e mundur".

Grupi

"U2", grupi i famshëm irlandez i rokut, u krijua në Dublin në vitin 1976. Me më shumë se 140 milionë disqe të shitura dhe numrin më të madh të çmimeve "Grammy" të fituara ndonjëherë nga ndonjë grup, me plot gojën mund të cilësohen si një nga grupet muzikorë më të rëndësishëm dhe më të afirmuar në skenën ndërkombëtare. Revista "Rolling Stone" i ka renditur të 22-ët në klasifikimin e 100 grupeve më të mira të historisë botërore. Që nga fillimet e tyre, banda është angazhuar për çështjen irlandeze dhe respektimin e të drejtave civile, duke e bazuar shpesh aktivitetin e saj artistik mbi këto tema delikate.

Tekstet

Në albumet e para, "U2" flisnin për sikletet e adoleshencës, në veçanti në albumin e parë, me këngën "A day without me", frymëzuar nga vetëvrasja e Ian Curtis. Më pas, këngët e tyre përshkruheshin nga zemërimi për kalimin nga mosha e pafajësisë në atë të rritur. Gjithmonë në albumet e para kishte këngë që Bono ia kushtonte humbjes së të ëmës, e cila kishte vdekur kur ai ishte 13 vjeç. Është interesante të thuhet se një nga temat më të preferuara në tekstet e "U2" është feja: në veçanti raporti me Zotin. Një tjetër vend të veçantë në tekstet e këngëve të grupit irlandez ka zënë edhe politika, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Për sa i përket kësaj të fundit, përmes këngës "Silver and Gold", kundërshtojnë politikën e Aparteidit në Afrikën e Jugut. E fundit është dashuria, ku këngët më të bukura mbajnë emrat: "I will follow", "With or without you", "When love comes to ton", "One", "Slow dansing", "Mysterious Ways".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›